Një gjykatë në Berlin i ka dhënë një dënim me burgim me kusht prej 1.5 vitesh një të mituri për ndihmë dhe inkurajim të një sulmi në koncertin e këngëtares Taylor Swift në Vjenë vitin e kaluar. Dënimi u dha sipas kodit penal për të mitur.
Në qershor, adoleshenti sirian, i cili ishte 14 vjeç në kohën e përfshirjes së tij në komplotin për të sulmuar koncertin e këngëtares së famshme, u akuzua. Në atë kohë, emri i tij u bë i ditur si Mohammad A., në përputhje me kufizimet e vendosura nga ligjet gjermane të privatësisë.
Gjykata e Berlinit njoftoi sot se i pandehuri kishte pranuar fajin dhe se dënimi, i cili mund të apelohet, është në përputhje me vendimin e kërkuar nga prokurorët.
I radikalizuar nga propaganda online e grupit xhihadist të Shtetit Islamik, i pandehuri i dërgoi sulmuesit të mundshëm një video me udhëzime për përgatitjen e bombës dhe e vuri në kontakt me një anëtar të Shtetit Islamik, tha gjykata.
Policia ka bërë disa arrestime në lidhje me komplotin e dyshuar për të sulmuar një koncert të Taylor Swift në stadiumin Ernst Happel në kryeqytetin austriak.
(BalkanWeb)
