NGA VALENTINA MADANI

TIRANE- Partia Demokratike ka përmbyllur katër plat forma të programit të ri qeverisës përmes konsultimeve dhe debatit në të gjithë sektorët, me ekspertë e njohës të spikatur të fushave. Në krye të prioriteteve të platformave të PD janë zhvillimi, punësimi, përmirësimi i jetës, ulja e taksave dhe thjeshtimi i procedurave. Po ashtu, janë prezantuar edhe platformat në fushën e sigurisë kombëtare dhe kulturës. Departamentet e Sigurisë Kombëtare, Financave Publike, Punësimit dhe Çështjet Sociale, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë zhvilluar diskutimet dhe konsultimet me anëtarët e departamenteve, deputetët dhe ekspertët e fushës. Më pas do të vijohet me procesin e tryezave publike mbi programin e PD-së.

PLATFORMA FISKALE

Departamenti i Financave Publike gjatë prezantimit të programit u përqendrua në uljen e taksave, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe luftën kundër korrupsionit dhe informalitetit në tatim-dogana. Vendosja e taksës së sheshtë në nivelin 9% mbi të ardhurat dhe kontributet, ulja e normës së TVSH-së në nivelin 15%, eliminim i taksave të fshehta apo tarifave administrative paralele siç janë taksat mbi karburantet dhe ambientin dhe lehtësim të procedurave, parashikon platforma fiskale e demokratëve. Një prej drejtimeve kryesore të programit është reforma për zhvillimin e biznesit përmes politikave të reja të kreditimit të ekonomisë dhe transparencës online të procedurave tatimore, doganore, etj.

PLATFORMA E PUNËSIMIT
Departamenti i Punësimit dhe Çështjet Sociale u fokusua tek programi i punësimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës, nëpërmjet rritjes së pagës minimale dhe rritjen e masës së ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë. Orientimet e programit të PD për këta sektorë mbështeten dhe në korrigjimin e skemës së kontributeve, duke eliminuar rritjen abuzive të kontributeve për profesionistët e lirë, ngritjen e skemave efiçente për shërbimet sociale për pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar.

PLATFORMA E ARTIT
Departamenti i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve diskutoi programin me ekspertë dhe artistë të njohur, duke u përqendruar në fuqizimin e institucioneve të artit dhe kulturës, rivitalizimin e monumenteve të trashëgimisë, ngritja e strukturave përgjegjëse për të drejtën e autorit, programet për rininë dhe hartimin e një strategjie me standarde evropiane për fuqizimin e saj, si dhe promovimin e sportit në të gjitha zhanret.

PLATFORMA E SIGURISË
Platforma e sigurisë kombëtare synon t’u rikthejë Forcave të Armatosura statusin dhe misionin e tyre, sipas standardeve të Aleancës së Atlantikut, reformave të lëna pas dore dhe të kapura nga interesat klanore gjatë këtyre viteve të qeverisë së majtë. Brenda muajit shkurt Partia Demokratike do të ketë paketën e plotë të programit elektoral, të cilin më pas do ta diskutojë në terren më qytetarët. Programi po kalon aktualisht në të gjithë departamentet. Demokratët do të propozojnë kthimin e taksës së sheshtë jo 10 për qind, por 9 për qind, ndërsa synohet krijimi i hapësirave të reja të punësimit. Zgjedhje të parakohshme ose jo, demokratët kanë synim të jenë konkretë me ofertën për qytetarët. Në këtë drejtim po punohet edhe me strukturat në bazë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: