Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me plagosjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kthesën e Rrilës në Lezhë.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se në vendin ku u plagos 30-vjeçari Sokol Daci ka qenë dhe një polic, i cili ka deklaruar se nuk i ka parë autorët të cilët kanë qëlluar drejt berberhanes.
Dyshohet se si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur edhe një pjesëtar i familjes Nikulaj por nuk është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë ende nuk dihet gjendja e 30-vjeçarit, i cili është dërguar te Trauma. Autori/ autorët mbeten ende të pa identifikuar por policia bën me dije se po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar se në qendër të fshatit Rrilë, Lezhë, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku ka rezultuar se ka mbetur i plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Rrilë. I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi S. D. ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
