Vijon dëshmia e të penduari të drejtësisë Skerdi Tase bë GJKKO në kuadër të “Plumbit të Artë”.
Në sallë, Tase ka treguar se porosia për vrasjen e Hajredin Beharit, krim që mbeti në tentativë, u dha nga Renato Çami.
Sipas dëshmisë së tij të zbardhur nga gazetarja Klodiana Lala, Henrik Hoxhaj do të ishte personi që do ta ndihmonte Tasin për vrasjen, “punë” për të cilën i ishte premtuar një apartament në Fier dhe një shumë parash edhe nga Viron Tavanxhi.
“Për tentativën ndaj Hajredin Beharit, lokali ndodhet afër rrethrrotullimit të parkut. Unë qëllova nga jashtë lokalit. Objektivi ndodhej aty, bashkë me tre katër persona të tjerë. Unë qëllova 5-6 herë rreth 1 metër larg derës. Ai u shtri nën tavolinë dhe unë mendova se e godita”, tha ai.
Më tej Tase ka rrëfyer se më pas është takuar me Henrikun, me të cilin është larguar deri në vendin ku ka hedhur edhe armën e përdorur, në Gjanicë.
“Pas disa ditësh takova Henrikun. Aty debatuam pasi më kritikoi pse nuk e kisha vrarë. Shenjestra kishte shkuar në polici dhe kishte thënë disa emra të dyshuar, mes të cilëve ishte edhe porositësi i vërtetë. Henriku më konfirmoi se emri i porositësit ishte në dosjen e policisë. Nuk mora asnjë lek për këtë punë, pasi nuk e realizuam dot”, tha ai.
