Gjykata e Posaçme ka nisur të dëgjojë dëshminë e Erion Alibej, bashkëpunëtori i drejtësisë dhe një nga të akuzuarit kryesorë në dosjen voluminoze “Plumbi i Artë”.

Alibej akuzohet për përfshirje në disa vrasje mafioze, përfshirë eliminimin e Dorian Shkozës, Anxhelo Avdisë, vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, si dhe të Emiliano Ramazanit dhe Rigers Runajt.

Në seancën e së martës, Alibej tregoi për herë të parë detaje nga njohja me Nuredin Dumanin dhe Skerdi Tasin, gjithashtu bashkëpunëtorë të drejtësisë. Ai rrëfeu se lidhja me Dumanin u krijua në fillim të vitit 2020, menjëherë pasi u lirua nga paraburgimi i Elbasanit.

“Pasi dola nga paraburgimi, kontaktova me Arjan Spahiun. Ai ishte në Belgjikë, por erdhi në Shqipëri dhe më tha se Dumanin donte të më takonte. E njihja Dumanin nga dëgjesat, kisha informacione, prova, adresa dhe foto për të. Madje, kisha hedhur fjalë se do jepja 100 mijë euro për vrasjen e Talo Çelës dhe 200 mijë për ta sjellë të gjallë,” deklaroi Alibej para trupit gjykues.

Ai tregoi se takimi me Dumanin u zhvillua në një pallat ku jetonte, por dy kate më poshtë, për arsye sigurie. “Takimi zgjati 2 orë e 48 minuta. Gjithë biseda është regjistruar. E dëgjova për gjithçka,” tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb