Deputeti i PD-së Tritan Shehu, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24, ka kritikuar Ligjin për “Shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar”.

Shehu theksoi se me këtë ligj kërkohet që të bastardohet koncepti i familjes. Ai shton se ligji në fjalë e kthen Shqipërinë në fermë fetusesh, ku mund të gjejnë vend edhe grupet kriminale. Sipas tij, po shkatërrohet femra dhe gjithashtu edhe fëmija.

“Kjo është formë PPP e uterusit të grave. Kjo formë bën që mos të ketë përcaktim të qartë për nënën dhe çon në prindi 1 e prindi 2 dhe çon në koncepte që janë problem për familjet. Është një veprim i dëmshëm, që bie ndesh me Kushtetutën. Është formë PPP-je, që shkatërron gruan dhe familjen. Këtu kemi dy nëna, nëna 1 dhe nëna 2. Njëra nënë mban barrën e tjetra vezoret e atëherë lind pyetja se kush është nëna? Fëmija kthehet në një plaçkë dhe uterusi jepet me PPP.

Të sjellin ligj për sigurinë medikamentoze dhe jo për të tilla ligje, që shkatërrojnë familje. Nuk janë këto problemet kryesore të shëndetësisë sot, janë veprime artificiale që imponohen nga të tjerët. Këtu kërkohet që Shqipëria të kthehet në fermë uterusesh, është element kriminal. E gjitha është bastërdim i familjes tradicionale. Unë ftoj mediat dhe fetë, që të kundërshtojnë këtë projektligj. Kanë vendosur të rrisin abortin nga 12 muaj në 14 muaj. Aborti është akt kriminal vrasës, ne problem kemi natalitetin”, deklaroi Shehu.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb