Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Vehap Kola, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e mbajtur këtë të shtunë, ka treguar se PD është vetëm një dhe e pa përçarë.

Ai tha se nuk ka dy Parti Demokratike, por vetëm një që lufton për konservatorizmin në Shqipëri. Kola theksoi po ashtu se PD ka bërë gabimet e saja si tani, por edhe në kohën që ka qenë në pushtet dhe kjo ka qenë ndjekja e modelit komunist.

Ai tha se duhet folur shqiptarëve me gjuhë të thjeshtë e pa slogane, e nënvizoi se vetëm me këtë formë ndoshta do të dëgjohen.

“Ankth kanë shumë demokratë sot. Ka disa muaj në fakt që ka rënë një sëpatë në pemën e PD. Në atë pemën që duam ta shtrijmë drejt horizontesh më të gjera shoqërore. Dikush ka marrë një sëpatë dhe i bie në trup që është baza e PD, e shpreson që kjo do e shërojë PD. Goditet në mënyrë të pa mëshirshme PD nga e shkuara e saj. Unë s’kam mungesë respekti për të shkuarën, por ndërkohë që i bihet PD me këtë sëpatë na ofrohet një gënjeshtër për njerëzit e thjeshtë që thonë se po bie Edi Rama. Ai ka rënë në një qetësi që edhe e ka bezdisur, e është përfshirë në debatin tonë. Po përdoret sëpata e sovranizmit. Gjithkush e ka të qartë që ne dëgjojmë një zhurmë të një lufte që bëhet për interesat personale. E gjithë kjo luftë po bëhet për të shkelur mbi dinjitetin personal të njerëzve të tjerë. Dinjiteti nuk mund të mbrohet duke shkelur dinjitetin e të tjerëve. Nderi, familja nuk mbrohet duke përbaltur familjen. Është e pamundur. Nuk e shpëton fytyrën duke hedhur baltë mbi fytyrat e të tjerëve. Kjo është një traditë thellësisht jo e djathtë. Ata të kritikojnë se je në pozitë të gabuar. Një ditë nga ato që kishte miting i thuaj demokratëve që Amerika nuk është uniforme me vendimet e DASH. Ka ardhur një person që nuk përfaqëson asgjë në Amerikë dhe u thuhet demokratëve që Amerika është e ndarë në gjysmë.

Mirëkuptohen ata njerëz që i besojnë këto diversione. Nuk dua të kritikojë PD, por dua t’ju paralajmëroj për një gjë të dytë që janë analistët e oligarkisë që janë turrur nëpër media duke sulmuar PD, duke quajtur një parti pro-amerikane dhe një tjetër anti-amerikane. Nuk ka dy parti, ka vetëm një dhe kjo është Partia Demokratike e Shqipërisë. Detyrimi është që ta dëshmojmë këtë. Nuk do të doja të vazhdojmë të bëjmë propagandë, do të doja që t’u themi njerëzve të vërtetën siç është. Në kuadër të kësaj do të doja që të risillja në Kuvend që ka gjëra që nuk shkojnë në PD, por edhe para 2013, para 25 prillit, edhe dua të fokusohem në një prej tyre. PD është shndërruar në një imitim të partisë së punës. Duke qenë e tillë e humbi energjinë për të shërbyer si një e kundërt morale e ideologjike. Ne kishim qeveri të korruptuara. Kishim ilaçe false më pas e sa bëhen sot.

Shkollat tona ishin pa ngrohje edhe atëherë, jo vetëm sot. Kështu që edhe në kohën tonë kishim një Shqipëri të oligarkëve, të cilët i linin shqiptarëve vetëm kotheren për të mbijetuar. Edhe ne kemi vendosur tullat tona në oligarkinë. Duhet t’ia themi vetes se kundërshtari ynë kryesorë nuk është adresuar sinqerisht nga ne. Nuk ka njerëz të lirë e të varfër. Shtresa e mesme është në gjendje të durojë disa muaj në protesta të drejta. Nëse i themi këto gjëra shqiptarëve besoj se do të na besojnë më shumë. PD nuk zëvendëson asnjë institucion shtetëror, por duhet të bëjë punën që bëjnë partitë konservatore. Pa u çrrënjosur këto pengesa, do i flasim shqiptarëve në mënyrë të pa sinqertë e do të na bëjnë sikur na besojnë”, tha Kola.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb