Donald Trump kërcënoi sot se do të rrisë ndjeshëm tarifat që planifikon të vendosë për produktet e importuara në Shtetet e Bashkuara nga India , duke e akuzuar vendin se blen sasi të mëdha nafte ruse.
“India jo vetëm që blen sasi të mëdha nafte ruse, por më pas, pjesën më të madhe të naftës që blen, e shet në tregun e Hapur për një fitim të madh. Ata nuk interesohen se sa njerëz në Ukrainë po vriten nga Makineria Ruse e Luftës”, tha Trump në një postim në Truth Social.
Trump tha javën e kaluar se do të vendoste një tarifë prej 25% për mallrat e importuara nga India dhe shtoi se ekonomia e pestë më e madhe në botë do të përballet gjithashtu me një dënim të paspecifikuar, por ai nuk dha detaje.
Gjatë fundjavës, dy burime nga qeveria indiane i thanë Reuters se India do të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia pavarësisht kërcënimeve të Trump.
(BalkanWeb)
