Nga: MENTOR KIKIA*
Nuk e di se ku dhe nëse ka ndodhur, por dikush ma tregoi si histori. Një banor kishte shkuar tërë nerva te zyrat e komunës dhe kërkonte që kryetari t’i zgjidhte një problem. Gjatë diskutimit banori i kujton kryetarit se i kishte dhënë votën dhe ai ishte i detyruar t’i zgjidhte hallin. “Shko more qërohu se votën ta bleva e s’ma dhe vetë. Bashkë kemi mbaruar punë, më dhe votën, të dhashë lekët”. Edhe në mos qoftë e vërtetë, është një histori e mrekullueshme për të dëshmuar bastërdimin e demokracisë, shtetit dhe pushtetit nga fenomeni i tregtisë së votës. Të jem i sinqertë, të njëjtën gjë do i kisha thënë edhe unë banorit, nëse do ia kisha blerë votën dhe do të vinte të më kujtonte detyrimet e mia si i zgjedhur ndaj zgjedhësve.
Situata është shumë e qartë. Nëse ti ia shet makinën dikujt, s’ke pse i thua pastaj që dua të hipi edhe unë aty, se ka qenë e imja dikur. Malli që shitet nuk të përket më, ai i përket atij që e ka blerë dhe ai bën ç’të dojë me mallin e tij. Në këtë rast malli është vota. Vota në fakt është një copë letër me ca emra, përmes të cilës ti vendos se kush do të jetë kryetar bashkie apo deputet. Por vota, ajo copë letër pra, është vetë demokracia, është pushteti i popullit. Për atë “copë letër” janë bërë luftëra, kryengritje të popujve kundër diktatorëve, për atë copë letër afro-amerikanët kanë luftuar disa dekada derisa ua dhanë. Ajo është ndryshimi mes një shoqërie të burgosur dhe një shoqërie të lirë, ajo është ndryshimi mes diktaturave apo sistemeve totalitare dhe sistemeve demokratike. Ne shqiptarët nuk e kemi pasur lirinë e asaj vote, pasi për gjysmë shekulli zgjedhësve ua jepnin në dorë thjeshtë për ta futur në kuti. Por si një popull që nuk ai ka parë ndonjëherë hairin dhe nuk ia di vlerën, ne, këtë mjet të fortë, këtë “makineri” çudibërëse, përmes së cilës rrëzon qeverinë që nuk e do, e bëmë mall dhe e shitëm fare lirë në pazarin e sendeve të vjetra.
Doja të ndalesha shkurt fare, për t’i dhënë një përgjigje pyetjes që më ka mundur përherë: Përse e shesin votën shqiptarët dhe nuk e përdorin për atë për të cilën ajo ka vlerën e vërtetë? Mendoj se tri mund të jenë arsyet:
1-Mungesa e besimit te politikanët. Njerëzit thonë se të gjithë njësoj janë, të gjithë gënjejnë dhe asgjë s’kanë për të bërë. Të paktën t’u marrim ndonjë para.
2- Varfëria: Votën e shesin ata që e këmbejnë edhe me një torbë ushqime, apo ata që kanë listën e borxheve te dyqani i ushqimeve dhe ndërrojnë rrugë sa herë duhet të kalojnë para tij.
3-Injoranca. Varfëria e ka brenda edhe injorancën, por për mua është kjo e fundit që sundon. Nëse banorët e një krahine apo një vendi do të ishin në kushtet e dëshpërimit si pasojë e qeverisjes së keqe dhe të korruptuar, ata do të votonin kundër për ta larguar atë qeveri. Por në Shqipëri, zakonisht ndodh e kundërta. Ata të dëshpëruarit, në vend që të votojnë kundër, thjeshtë ua shesin votën politikanëve-tregtarë për të cilët janë të bindur që janë hajdutë e batakçinj, por kanë një nevojë të çastit.
Tashmë, shitja e votës është bërë institucionale, është bërë zyrtare. Ajo është arma më e fortë elektorale. Jo, jo nuk janë idetë dhe projektet që ti ke ndërmend të zbatosh në qytetin apo vendin ku do të fitosh. Shumica e kandidatëve për zgjedhjet vendore u përzgjodhën mbi dy kritere bazë: njerëz, të devotshëm politikisht, që kanë para mjaftueshëm për siguruar fitoren me çdo mjet, duke kuptuar shqeto këtu edhe blerjen e votës. Dhe, njerëz që nuk kanë para, por janë figura publike dhe që garantojnë se do të jenë tërësisht nën kontrollin e atyre që i financojnë dhe që nesër do të jetë edhe zotëruesit realë të pushtetit. Pra, ose hajdutët janë vetë në garë, ose ata kanë vënë një kukull aty për t’i përfaqësuar. Nuk kam as pikën më të vogël të dyshimit se edhe këto zgjedhje do t’i përcaktojë vota e blerë. Në zgjedhjet e përgjithshme ajo formatoi konfigurimin politik që kemi sot. Në prag të zgjedhjeve vendore unë kam takuar shumë njerëz që e thonë me bindje se do të votoj atë që të më paguajë më shumë. Dhe nuk kishte asnjë mundësi të përfundonim në ndonjë destinacion tjetër, derisa parlamenti dhe pushteti vendor u mbushën me tregtarë e biznesmenë, të cilët nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të shesin e të blejnë. Jo vetëm votën, por edhe vetë partitë kur kanë ndonjë pazar të mirë në dorë i shesin dhe blejnë. Pushtetin në Shqipëri e përcaktojnë militantët e partive dhe hallexhinjtë e injorantët që shesin votën. Të tjerët turfullojnë në kafene dhe “Facebook” duke thënë se ky vend nuk bëhet.
Shefja e misionit të vëzhgimit të OSBE-së, Audrey Glover, tha se do të vëzhgojmë edhe deformimin e demokracisë përmes shitjes së votës. Mos u lodh kot zonja Glover. Vota do të shitet mu në pazar të madh. Ajo do të këmbehet me pantallona, brekë, një kuti me ushqime dhe me para në dorë, dy net para zgjedhjeve.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: