Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e urdhërimit të sulmeve të reja kundër Iranit në përgjigje të shtypjes së protestave dhe trazirave nga Teherani të shkaktuara nga inflacioni në rritje, raportoi të shtunën New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë të njohur me diskutimet.

Sipas gazetës, Trump është informuar ditët e fundit mbi disa opsione sulmi, duke përfshirë sulme ndaj objektivave jo-ushtarake në Teheran, por nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Presidenti ka lëshuar kërcënime të shumta kundër Iranit në të kaluarën dhe ka shprehur publikisht mbështetje për protestuesit të shtunën.

“Irani po e sheh lirinë, ndoshta si kurrë më parë. SHBA-të janë të gatshme të ndihmojnë!!!” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Protestat shpërthyen në Iran më 28 dhjetor, pasi rënia e monedhës kombëtare çoi në rritje të ndjeshme të çmimeve të ushqimit dhe mallrave të tjera bazë. Demonstratat u përshkallëzuan shpejt në trazira të përhapura, me protestuesit që u përleshën me policinë dhe sulmuan institucionet qeveritare në Teheran dhe qytete të tjera. Autoritetet ndërprenë lidhjet e internetit dhe telefonisë në të gjithë vendin të enjten në një përpjekje për të frenuar dhunën.

Teherani ka akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për nxitjen e trazirave. “Duke besuar se Republika Islamike e Iranit është si vendet e tjera, SHBA-të po ndjekin të njëjtat masa duke inkurajuar individë të caktuar të krijojnë kaos dhe trazira”, shkroi Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi në X të shtunën.

Udhëheqësi Suprem iranian, Ali Khamenei, i denoncoi kërcënimet si “të pabaza”, duke thënë se vendi “nuk do të tërhiqet kundër vandalëve”.

SHBA-të kryen sulme ndaj objekteve bërthamore të Iranit në qershor 2025 në mbështetje të fushatës ajrore 12-ditore të Izraelit kundër vendit. Teherani u përgjigj me një breshëri raketash që synonin një bazë amerikane në Katar, por nuk shkaktoi viktima.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb