Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka dalë nga gjendja e rrezikut dhe për shkak të përmirësimit të situatës shëndetësore, ai ka lënë ambientet e qendrës spitalore universitare Nënë Tereza dhe prej disa ditësh është rikthyer në ambientet e paraburgimit të Durrësit.
Beqaj u transferua nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për në spital, për shkak të një situate të vështirë shëndetësore dhe për muaj me radhë u trajtua nga mjekët.
Burime pranë institucionit të burgjeve bënë me dije se Beqaj është transferuar tashmë në paraburgim, pasi sipas mjekëve gjendja e tij shënde4tesore është përmirësuar.
Ish ministri mbahet në paraburgim, pasi po gjykohet për veprën penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminale për koncesionin e sterilizimit.
Për këto akuza ai po gjykohet veçmas nga të pandehurit e tjerë, pasi nuk ka kërkuar procedurë të shkurtuar.
Beqaj njëherazi është marrë i pandehur për akuza të rënda, si korrupsion, mashtrim, pastrim parash sa i përket dyshimeve për abuzime me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që ai drejtonte agjencinë SASPAK. kjo dosje është aktualisht duke u shqyrtuar nga gjykatësi paraprak, që do të vendosë nëse do të kalojë ose jo për gjykim.
(Balkanweb)
