Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, në fjalën e tij në oborrin e Kuvendit pas mbylljes së seancës plenare, ka deklaruar se policia ka marrë urdhër për bllokimin e mjeteve bujqësore që pritej t’i bashkoheshin sot protestës para Kuvendit.
Berisha foli gjithashtu në lidhje me vendimin për votimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes me SHBA-të në fushën e mbrojtjes, ku Shqipëria do të marrë qindra mln dollarë hua, pasi sipas tij në Rregullore përcaktohet qartë se diçka e tillë mund të mbahet vetëm pas një jave.
“Ne nuk votojmë në procedura antikushtetuese. Jemi pro kredisë dhe shprehim mirënjohje, por kërkojmë që të bëhet në përputhje me Kushtetutën”, kështu ka thënë kreu i PD Sali Berisha ndërsa u pyet lidhur me seancën që do mbahet në orën 15:00 të ditës së sotme.
Pjesë nga fjala e Berishës;
“Historia më e turpshme një vend anëtar i NATO vendos një shtetrrethim të tillë nga qytetarëve. Qindra zetore, traktorë që janë nisur nga të katër anët e Shqipërisë janë bllokuar me urdhër që të mos merrnin pjesë në protestë. Kjo që ndodh brenda në Parlament është një akt i turpshëm i Ramës, që një kredi të SHBA për qëllime mbrojtje për të cilën PD është mirënjohëse do ta kalojë me procedurë jokushtetuese. Ka një përcaktim që nuk lejon votimin me procedim përshpejtues pa afat minimal njëjavor. Rama kërkon të tregojë se Kushtetuta është një letër e vdekur për të. Përse në një akt të parë, zhdukët nga të gjitha institucionet nga Parlamenti qeveria flamurin e NATO-s. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Në një nga urdhrat më të parë urdhëroi të hiqet flamuri i NATO-s nga të gjitha institucionet. Tani i çekuilibruar kërkon të dhunojë Kushtetutën…”, tha ai.
