Ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike në fshatin “Oficinë e Vjetër” në Patos, si pasojë e një ndërhyrjeje në rrjetin elektrik nga kompania e naftës “Albpetrol” kanë shkaktuar djegie të pajisjeve elektro-shtëpiake në banesa e biznese.
30 familje dhe 11 biznese furnizohen me energji nga linjat elektrike të kompanisë, ndërsa qytetarët pohojnë se shqetësimi i tyre nuk po merr zgjidhje nga autoritetet përgjegjëse.
Nga ana tjetër, burime nga kompania “Albpetrol” bëjnë të ditur se ndërprerjet kanë ndodhur, për shkak të proceseve teknologjike që po kryhen prej tyre, duke mohuar faktin se shkëputjet janë të shpeshta.
Po sipas të njëjtave burime, “Albpetrol” është në bisedime me OSHEE-në, për të gjetur një alternativë për abonentët që furnizohen nga linjat e tyre.
