Një ngjarje e rëndë ndodhi mesditën e datës 16 shkurt në Kukës, ku një nxënës i shkollës 9-vjeçare u plagos në kantierin e ndërtimit të Shkollës së Mesme Profesionale “Bajram Curri”, teksa u fut për të marrë topin me të cilin po luante.
Aktualisht shkolla është në proces rikonstruksioni nga kompania e ndërtimit “Ina sh.p.k” me administrator Ferdinand Çaushin, ku fëmija 11-vjeçar kaloi perimetrin e sigurisë, ndërsa mësohet se mungonte izolimi i plotë i kantierit, çka ka rritur rrezikun për kalimtarët dhe veçanërisht për nxënësit.
Incidenti ndodhi në momentin kur i mituri po përpiqej të merrte topin pranë kantierit të ndërtimit, ku në atë çast, nga kati i tretë i godinës janë hedhur materiale inerte, të cilat e kanë zënë poshtë, duke i shkaktuar plagë të shumta.
I mituri është transportuar fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Kukësit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe për shkak të gjendjes shëndetësore dhe natyrës së lëndimeve, ai u dërgua për mjekim më të specializuar drejt Spitali i Traumës në Tiranë.
Shqetësues mbetet fakti se Policia e Kukësit e raportoi ngjarjen vetëm pas publikimi në media, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe procedurat e ndjekura në raste të tilla. Për pasojë, nisi procedimi për punonjësin që hodhi materialet inerte nga lartësia, si dhe për drejtuesin teknik të firmës që po kryen punimet.
Inspektorati i Punës ka bllokuar punimet në Shkollën e Mesme Profesionale “Bajram Curri”, duke vendosur shiritat e sigurisë, për shkak të mungesës së kushteve teknike dhe masave mbrojtëse në kantier.
Autoritetet pritet të hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe të përcaktojnë përgjegjësitë përkatëse.
