Lufta në Ukrainë po lë pas dëme të rënda jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në sektorin e botimeve dhe trashëgiminë kulturore të vendit. Shtypshkronja, depo dhe shtëpi botuese janë goditur nga sulmet ruse, ndërsa miliona libra janë shkatërruar. Një prej goditjeve të fundit ka prekur një shtypshkronjë në periferi të Kievit, ku puna ishte në kulmin e saj përpara nisjes së vitit të ri shkollor. Në fabrikë po përgatiteshin rreth 1.3 milionë libra, që përbënin afërsisht 10% të teksteve shkollore të nevojshme për nxënësit ukrainas.

Një raketë ruse goditi objektin gjatë natës, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha. Mes rrënojave është gjetur edhe një faqe e djegur nga një libër shkollor i anglishtes, ku nxënësit mësonin për një personazh të quajtur William dhe qytetin britanik Nottingham. Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet dhe mediat lokale, sulmet e fundit kanë çuar në shkatërrimin e rreth 12 milionë librave. Mbi 35 godina të lidhura me industrinë e botimeve janë dëmtuar gjatë javëve të fundit.

Viktoria Haidai, drejtore komerciale e kompanisë botuese Konvi, thotë se goditjet ndaj sektorit të librave nuk mund të shihen thjesht si dëme të luftës. “Unë besoj se kjo është e qëllimshme nga ana e Federatës Ruse”, u shpreh ajo, duke shtuar se gjatë muajve të fundit disa prej shtëpive më të mëdha botuese kanë humbur edhe depot e tyre, ku ruheshin mijëra libra. Sipas Haidait, dëmtimi i shtypshkronjave dhe zinxhirit të shpërndarjes rrezikon drejtpërdrejt vazhdimësinë e industrisë së librit në Ukrainë.

Dëmet nuk janë kufizuar te librat e rinj. Edhe tregu i librave të përdorur në Pochaina, në Kiev, është goditur nga sulmet. Qindra tezga u shkatërruan dhe bashkë me to edhe një numër i madh librash, përfshirë botime me vlerë historike e kulturore. Mes rrënojave, blogerja 28-vjeçare e librave, Liliya Velyka, kërkoi të shpëtonte çfarëdo që kishte mbetur. Në duar mbante një roman fantastiko-shkencor të dëmtuar nga uji. “Librat po na shpëtojnë dhe humbja e tyre është si humbja e zemrave tona”, tha ajo.

Përveç sektorit të botimeve, lufta ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në muzeume, biblioteka, galeri arti, teatro dhe institucione të tjera kulturore. Në kompleksin historik të Lavrës Kiev-Pechersk, një prej monumenteve më të rëndësishme të Ukrainës, një sulm me dron shkaktoi dëmtime, përfshirë në pjesë të strukturave dhe çatisë së Katedrales së Fjetjes së Shenjtë. Artefaktet fetare u zhvendosën në një vend të sigurt, ndërsa dëmet materiale vlerësohen në rreth 11.2 milionë dollarë. Restaurimi mund të zgjasë deri në dy vjet.

Lavrën Kiev-Pechersk e ka përfshirë UNESCO në listën e trashëgimisë botërore që prej vitit 1990, ndërsa në vitin 2023 kompleksi u vendos në listën e trashëgimisë botërore në rrezik. Drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, Khaled El-Enany, ka dënuar dëmtimin e monumenteve kulturore, duke theksuar se objektet e tilla mbrohen nga e drejta ndërkombëtare. Ministrja e Kulturës së Ukrainës, Tetyana Berezhna, e lidh drejtpërdrejt dëmtimin e trashëgimisë me vetë natyrën e luftës.

“Rusia dëshiron të na shkatërrojë si komb dhe të na fshijë si komb”, tha ajo, duke argumentuar se goditja e monumenteve, librave dhe institucioneve kulturore synon të zhdukë gjurmët e identitetit ukrainas. Sipas të dhënave të paraqitura nga autoritetet ukrainase, më shumë se 1,900 objekte të trashëgimisë kulturore dhe mbi 2,000 institucione kulturore janë prekur nga lufta.

Në përpjekje për të ruajtur atë që mund të shpëtohet, Ukraina po i drejtohet gjithnjë e më shumë digjitalizimit, duke arkivuar libra, vepra arti dhe materiale të tjera kulturore në formë elektronike. Por ekspertët paralajmërojnë se industria e botimeve mbetet nën presion të jashtëzakonshëm dhe se pa mbështetje ndërkombëtare rrezikohet jo vetëm prodhimi i librave, por edhe ruajtja e një pjese të rëndësishme të identitetit kulturor të vendit.

“Fjala është gjithçka. Është zhvillimi ynë, kultura jonë dhe trashëgimia jonë historike, e cila përcillet nga një brez te tjetri”, tha Haidai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: