Në një klimë të tensionuar nga protestat kundër qeverisë, ekspertët dyshojnë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, po përpiqet të ndërtojë imazhin e një “të burgosuri politik”, ndërsa pret të dalë në gjyq për akuzat për korrupsion.

Nga Fjori Sinoruka | BIRN

Më 26 tetor, një ditë pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç pranoi humbjen përballë një lëvizjeje të udhëhequr nga studentët, në një proces zgjedhor me rëndësi historike, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, publikoi një mesazh me nënkuptime të qarta ndaj kreut të qeverisë shqiptare, i cili ka qëndruar në pushtet për një periudhë pothuajse po aq të gjatë sa Vuçiçi.

“Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!”, shkroi Veliaj në Facebook, nga qelia e burgut.

“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate.”

Mesazhi, i publikuar nga qelia ku Veliaj po pret gjykimin për akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, u interpretua gjerësisht si një thumbim ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili po përballet me protesta të përditshme kundër qeverisë, ku studentët kanë marrë një rol të spikatur.

Rama dhe Veliaj dikur ishin aleatë në Partinë Socialiste në pushtet. Megjithatë, përballë mundësisë për të kaluar vite pas hekurave, Veliaj është kthyer kundër ish-mentorit të tij politik, duke e akuzuar Ramën se po ushtron presion ndaj tij për të dhënë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut të kryeqytetit.

Ekspertët thonë se Veliaj po përpiqet të fitojë mbështetjen e opinionit publik, duke e paraqitur veten si një të burgosur politik, pasi gjykatat i kanë refuzuar kërkesat për lirimin e tij. Procesi gjyqësor ndaj tij nisi në mars.

“Pasi humbi mundësinë në Gjykatën e Lartë për të siguruar një masë sigurie më pak kufizuese, Veliaj, i cili më parë e kishte shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me kreun e Partisë Socialiste, nisi të mbante një qëndrim më të ashpër; duket se ai ndjeu se nuk kishte më asgjë për të humbur”, tha analisti politik Enton Abilekaj.

“Vargu i vendimeve gjyqësore kundër tij e çoi në përfundimin se ose pas gjithë kësaj qëndronte pushteti i pakontrolluar i Edi Ramës, ose ai duhej t’i paraqiste procedurat ligjore ndaj tij si të motivuara politikisht, një strategji për të cilën një përplasje publike me kryeministrin do të ishte jashtëzakonisht e favorshme.”

Përplasje mes “klaneve”?
Dikur i konsideruar si një nga figurat në ngjitje të politikës shqiptare, Erion Veliaj u arrestua në shkurt të vitit 2025, me urdhër të prokurorëve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

SPAK-u e akuzoi atë për ngritjen e një “skeme komplekse”, përmes së cilës fondet publike transferoheshin drejt një grupi organizatash jofitimprurëse, OJF, të cilat, sipas prokurorisë, drejtoheshin “de facto” nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Edhe Xoxa po gjykohet së bashku me bashkëshortin për të njëjtat akuza, por ajo nuk ndodhet në paraburgim.

Çifti i mohon të gjitha shkeljet e pretenduara, ndërsa Veliaj ka refuzuar të japë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut të Tiranës, të cilin Rama e kishte shfrytëzuar dikur si trampolinë për të hyrë në politikën kombëtare.

Që prej shpërthimit të skandalit, vëllai i Veliajt, Arbër Veliaj, ka shpenzuar pak më shumë se gjysmë milioni dollarë për lobim në Shtetet e Bashkuara, në emër të tij dhe të kryebashkiakut.

Në dokumentet zyrtare të depozituara pranë autoriteteve amerikane, studioja ligjore Kasowitz LLP deklaroi se kishte marrë 120 mijë dollarë nga Arbër Veliaj, në pesë këste të kryera nga 16 prilli deri më 9 shtator, përveç rreth 430 mijë dollarëve të paguar deri në fund të muajit mars.

Dy ditë pas mesazhit të tij të urimit për studentët serbë, Veliaj u transferua nga paraburgimi në Durrës në atë të Fierit, por pretendoi se transferimi ishte kryer pa dokumentacionin e nevojshëm ligjor. Ai e cilësoi këtë veprim si një “rrëmbim nga policia”.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se transferimi ishte një “procedurë standarde”, por bëri të ditur se urdhri për zhvendosjen ishte klasifikuar si “sekret shtetëror”.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngriti shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave dhe garancive ligjore të Veliajt, duke vënë në dukje mungesën e transparencës për arsyet e transferimit, vendimin për klasifikimin e urdhrit si sekret shtetëror, si dhe pengesat për ushtrimin e së drejtës së ankimimit.

Avokati i tij, Plarent Ndreca, tha për BIRN: “Mënyra se si u krye transferimi ngre pikëpyetje serioze mbi motivet që qëndrojnë pas këtij vendimi.”

“Vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ende nuk na është vënë në dispozicion, çka na pengon të ushtrojmë të drejtën e ankimimit”, tha Ndreca. “Zoti Veliaj është zhvendosur më larg familjes, vendit të tij të punës, gjykatës dhe avokatit të tij. Për më tepër, siç ka konstatuar edhe vetë gjykata, ajo nuk ishte njoftuar për transferimin.”

Më 2 nëntor, Veliaj iu rikthye Facebook-ut, duke akuzuar Ramën se e kishte kërcënuar përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Sipas Veliajt, atij i ishte kërkuar të jepte dorëheqjen, të pranonte përfshirjen e tij në protestat kundër qeverisë dhe të mos konsultohej më me avokatin Ndreca, ish-deputet i Partisë Socialiste.

Ndreca tha se Veliaj e konsideron transferimin në Fier “një masë ndëshkuese, si kundërpërgjigje ndaj qëndrimeve të tij publike politike dhe qëndrimeve lidhur me administrimin e Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, këtë e dëshmon një vizitë e ministrit të Drejtësisë dhe mesazhet që pretendohet se i janë përcjellë në emër të kryeministrit. Këto pretendime ai ia ka paraqitur me shkrim edhe Gjykatës së Posaçme”.

Armand Shkullaku, kryeredaktor i medias Lapsi.al, tha se përplasja Rama-Veliaj duhet parë si “një konflikt mes dy klaneve”.

“Nuk kemi të bëjmë me dikë që ka një mendim apo alternativë tjetër dhe që po goditet për këtë arsye, por me dikë që përbën qoftë edhe kërcënimin më të vogël për pushtetin e ‘Kumbarit’”, u shpreh ai.

Sipas Shkullakut, protestat kanë “dobësuar imazhin e Edi Ramës brenda dhe jashtë vendit”.

“Në kushtet e kësaj vale protestash, ai kërkon të neutralizojë paraprakisht këdo që mund t’i kundërvihet për shkak të protestave apo pakënaqësive të tjera.”

I pyetur më 5 nëntor për akuzat e Veliajt, Rama u tha gazetarëve se ato ishin “si zhurmat e makinave në bulevard”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb