SHBA – Senatori demokrat i Connecticut, Chris Murphy, 53 vjeç, ka pësuar një goditje në tru dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Johns Hopkins.
Lajmi u konfirmua nga zyra e senatorit, sipas së cilës ngjarja ndodhi të shtunën, ndërsa Murphy po ndiqte ndeshjen e hokejit të djalit të tij.
Sipas shefes së stafit, Allison Herwitt, senatori filloi të ndiente mpirje në njërën dorë, çka bëri që të transportohej menjëherë në spital. Pas ekzaminimeve, mjekët konstatuan se ai kishte pësuar një goditje në tru. Më pas u transferua në Spitalin Johns Hopkins, ku po mbahet nën mbikëqyrje të specializuar.
“Mjekët janë optimistë për ecurinë e tij. Ai është zgjuar, plotësisht i vetëdijshëm për mjedisin rrethues dhe besojmë se do të shërohet plotësisht”, deklaroi Herwitt.
Chris Murphy është një nga senatorët demokratë më të njohur në SHBA dhe së fundmi ka qenë i angazhuar në fushatën elektorale në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se sapo kishte marrë lajmin për shtrimin e senatorit në spital dhe se do ta kontaktonte atë në një moment të përshtatshëm.
Ndërkohë, mbështetje për Murphy ka shprehur edhe senatori demokrat i Pensilvanisë, John Fetterman, i cili pësoi vetë një goditje në tru gjatë fushatës për Senatin në vitin 2022.
“E di shumë mirë se sa shumë mund të ndikojë kjo në jetën tuaj”, u shpreh Fetterman, duke i uruar Murphy-t dhe familjes së tij shërim të shpejtë.
