Historiani dhe ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo ka folur sot në për luftën e gjatë mes palestinezëve dhe izraelitëve si dhe sulmin e fundit të Hamasit. Pasi bëri një përmbledhje të marrëdhënieve mes tyre që prej 1947, Milo tha se pritet nga momenti në moment që Izraeli të shpërthejë një ofensivë kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Ai paralajmëroi për viktima të shumta në popullsinë civile. “Është e vërtetë që kanë qenë një armëpushim i zgjatur. Konflikti i parë ka qenë në 1947, në momentin që po përpiqeshin të dy palët për territore sa më të gjera dhe u vendos të krijoheshin nga Asambleja e OKB dy shtete, Palestina dhe Izraeli. Lufta e dytë ishte në 1967. Territore palestineze u vunë nën kontrollin e Izraelit. Hamas është një organizatë terroriste që sulmoi Izraelin në befasi. Pritet nga momenti në moment që Izraeli të shpërthejë një ofensivë kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Nëse do të bëhet kjo ofensivë do të ketë viktima të shumta në popullsinë civile, pasi nuk mund të ndash terroristët e Hamasit nga njerëzit e pafajshëm civilë”, tha Milo.
Duke u ndalur tek organizata terroriste e Hamasit, ai foli për lindjen e saj dhe mbështetjen. “Hamasi është një nga tre organizatat terroriste palestineze që njihen aktualisht. Është Hamasi, Xhihadi Islamik dhe Hezbollahu me bazë në Liban. Këto janë tre organizatat terroriste palestineze. Hamazi ka qenë pjesë e Al Fatahut, lëvizjes kryesore të rezistencës palestineze që udhëhiqej nga Arafati, i cili u zëvendësua pas vdekjes nga presidenti Abas, i cili është kryetari i autoriteti palestinez në Bregun Perëndimor. Përplasjet e brendshme, lufta mes rrymave në lëvizjen Al Fatah, bëri që Hamasi të kontrollojë Rripin e Gazës. Nuk arriti që presidenti aktual Abas të kishte autoritet dhe të kontrollonte Rripin e Gazës, e cila është nën kontrollin e Hamasit.
Mbështetja ka qenë nga disa faktorë të Lindjes së Mesme. Kanë qenë qarqe ekstremiste që kanë pasur lidhje me shtete që kanë zbatuar politika terroriste në lidhje me Izraelin. Mbështetje në armatime, financime dhe ekonomike. Ka qenë një lloj solidariteti arabo-mysliman për kauzën palestineze”, tha ai.
Por Milo foli për një ndryshim ekuilibrash në botën arabe dhe tha se ky ndryshim do të ishte një sinjal i keq për këto organizata terroriste. “Dhe dje që është mbajtur një takim i rëndësishëm i ministrave të Ligës Arabe është diskutuar kjo çështje. Ka debate nga më ekstremet për luftën që ka filluar. Këto do shohim dhe një lloj diferencimi që ka filluar të krijohet mes vendeve arabe që dikur e kanë mbështetur hapur dhe tani janë më të tërhequr. Emiratet Arabe, Katari, Sudani në Afrikë, Arabia Saudite e cila po tenton një marrëveshje me Izraelin për ta njohur. Ka disa kohë që në kuadrin e ndryshimeve që po ndodhin në raportin e vendeve arabe me Izraelin, ndryshime graduale, do të sillte një tronditje të madhe në botën arabo-myslimane dhe do ishte një sinjal i keq për këto organizata terroriste”, tha Milo.
Pyetjes së kush qëndron pas, Milo akuzoi Iranin. “Dihet që Irani është një fuqi e madhe rajonale, me pretendime e konflikte që i ka ushqyer vetë. Dihen pretendimet që ka për t’u bërë fuqi bërthamore dhe për rrjedhojë Irani ka qenë mbrapa këtyre qarqeve ekstremiste që e kanë pasur dhe e kanë Izraelin në shënjestër dhe i furnizon ata dhe me armatime dhe financime dhe mbështetje të gjerë. Nuk është se ka deklaratë zyrtare, por të gjithë treguesit të çojnë në konkluzionin dhe për shkak të lidhjeve që këtu Irani patjetër ka rezerva të mëdha ushtarake me të cilat kanë furnizuar Hamasin. Burimi i raketave me të cilat ka sulmuar Hamasi është Irani, por kjo nuk do të thotë që ka dhe qarqe të tjera arabe në lojë që të mos mbështesin”, tha ai. I pyetur se si dështoi inteligjenca izraelite të parashikonte sulmin e së shtunës, Milo tha se nuk është hera e parë që palët në konflikt përdorin elementin e befasisë.
