Nga rregullimi i çmimit të pulës deri te taksimi i cigareve, Hamasi po kërkon të zgjerojë kontrollin e tij mbi Gazën, ndërsa planet e SHBA-së për të ardhmen e saj po marrin formë ngadalë, duke forcuar argumentet e atyre që besojnë se nuk ka ndërmend të dorëzojë pushtetin siç ka premtuar.

Pasi armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor, Hamasi shpejt rivendosi kontrollin mbi zonat nga të cilat forcat izraelite u tërhoqën, duke vrarë dhjetëra palestinezë të akuzuar për bashkëpunim me Izraelin, vjedhje ose krime të tjera, nën syrin vigjilent të bashkësisë ndërkombëtare, e cila supozohet se po kërkon që grupi të çarmatoset dhe të tërhiqet nga qeverisja. Megjithatë, nuk është rënë dakord se kush do ta zëvendësojë atë.

Tani banorët thonë se ndiejnë gjithnjë e më shumë kontrollin e Hamasit. Autoritetet po kontrollojnë atë që hyn në zonat e kontrolluara nga Hamasi, duke vendosur taksa mbi disa mallra të importuara privatisht, të tilla si nafta dhe cigaret, dhe duke gjobitur tregtarët që kërkojnë çmime më të larta se ç’duhet për mallrat.

Dëshmitë vijnë nga banorë të Gazës, tre prej të cilëve janë tregtarë që kanë njohuri të drejtpërdrejta për atë që po dëshmojnë.

Ismail Al-Thaëbata , kreu i zyrës së shtypit të Hamasit, tha se akuzat se grupi takson cigaret dhe karburantin janë të pasakta dhe mohoi se qeveria vendos taksa.

Zyrtari këmbëngul se autoritetet po përmbushin misione urgjente humanitare dhe administrative, ndërkohë që po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të kontrolluar çmimet, dhe përsëriti se Hamasi është gati t’ia dorëzojë qeverisjen një “administrate të re teknokratike” dhe se po përpiqet të parandalojë kaosin në Gaza: “Qëllimi ynë është që tranzicioni të jetë i qetë”.

Hatem Abu Dalal, pronar i një qendre tregtare në Gaza, thotë se çmimet janë të larta sepse nuk po importohen produkte të mjaftueshme. “Zyrtarët qeveritarë po përpiqen të sjellin rregull në ekonomi duke kryer inspektime, duke kontrolluar produktet dhe duke vendosur çmimet”, thotë ai.

Mohammed Khalifa, një blerës në zonën Nuseirat në qendër të Rripit të Gazës, thotë se çmimet ndryshojnë vazhdimisht pavarësisht përpjekjeve për rregullim. “Është si një treg aksionesh… Çmimet janë të larta. Nuk ka të ardhura, kushtet janë të vështira, jeta është e vështirë dhe dimri po vjen”, tha ai.

Dhe ndërsa formimi i një administrate kalimtare, vendosja e një force shumëkombëshe sigurie, çarmatimi i Hamasit dhe fillimi i rindërtimit, të cilat përfshihen në planin e Trump, janë në pikën zero, një raport i Reuters , duke cituar burime të shumta, ngre perspektivën e ndarjes de facto të Rripit të Gazës , në një kohë kur forcat izraelite kontrollojnë më shumë se gjysmën e territorit të enklavës dhe përpjekjet për të zbatuar fazat e ardhshme të planit të paqes nuk po japin rezultate.

Pothuajse e gjithë popullsia e Rripit të Gazës jeton në zona të kontrolluara nga Hamasi, i cili mori kontrollin nga Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas dhe lëvizja Fatah në vitin 2007.

Sipas Ghaith al-Omari të Institutit Ëashington , në këtë fazë, veprimet e Hamasit synojnë t’i tregojnë popullsisë së Gazës dhe fuqive të huaja se nuk mund të anashkalohet. “Sa më gjatë të vonohet bashkësia ndërkombëtare, aq më shumë do të forcohet Hamasi.”

I pyetur në lidhje me rrëfimet e banorëve për veprimet aktuale të Hamasit për të kontrolluar çmimet, për të vendosur taksa etj., një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha: “Kjo është arsyeja pse Hamasi nuk mund dhe nuk do ta qeverisë Gazën”.

Një qeveri e re për Gazën mund të formohet sapo OKB të miratojë planin e Trump, tha zëdhënësi, duke shtuar se është bërë përparim drejt formimit të një force shumëkombëshe sigurie.

Autoriteti Palestinez po shtyn përpara për të pasur një rol në qeverinë e re të Gazës, ndërsa Izraeli hedh poshtë mundësinë që Autoriteti Palestinez të qeverisë enklavën.

Zëdhënësi i Fatahut në Gaza, Muader al-Hayek, tha se veprimet e Hamasit “janë një tregues i qartë se Hamasi dëshiron të vazhdojë të qeverisë”.

Në zonat nën kontrollin ushtarak izraelit, organizatat palestineze që kundërshtojnë Hamasin kanë zhvilluar një prani në një përpjekje për të fituar njëfarë ndikimi si kundërpeshë.

Ndërkohë, banorët e Gazës vazhdojnë të përballen me kushte të mjerueshme jetese, pavarësisht ndihmës humanitare në rritje që nga armëpushimi.

Një importues i madh ushqimesh në Gaza thotë se Hamasi nuk ka zbatuar një politikë të taksimit universal, por “ata shohin dhe regjistrojnë gjithçka”.

Ata kontrollojnë gjithçka që hyn, me pika kontrolli në rrugë, duke ndaluar kamionë dhe duke marrë në pyetje shoferët, thotë ai, duke refuzuar të japë emrin e tij. Oportunistët po ndëshkohen me gjoba, gjë që po ndihmon në uljen e disa çmimeve, por ato mbeten shumë më të larta se sa ishin para luftës, dhe njerëzit ankohen se nuk kanë para.

Qeveria e Hamasit në Gaza punësoi rreth 50,000 njerëz, përfshirë policë, para luftës. Kreu i zyrës së shtypit të qeverisë së Hamasit thotë se mijëra prej tyre janë vrarë dhe ata që kanë mbetur janë gati të vazhdojnë të punojnë nën urdhrat e një qeverie të re.

Gjatë luftës, Hamasi vazhdoi t’u paguante pagat, megjithëse uli pagat e larta dhe i kufizoi në 1,500 shekel (470 dollarë) në muaj, sipas burimeve në organizatë dhe ekonomistëve të njohur me çështjen. Besohet se Hamasi ka tërhequr rezerva parash për të paguar pagat, sipas një burimi diplomatik.

Mustafa Ibrahim, një aktivist dhe komentator nga Qyteti i Gazës, thotë se Hamasi po shfrytëzon vonesat në planin e Trump për të “konsoliduar sundimin e tij “.

“Do të lejohet të vazhdojë ta bëjë këtë derisa të vendoset një qeveri alternative “, thotë ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb