Anis Mehmeti e ka nisur mbarë aventurën te Ipswich, me sulmuesin shqiptar që po dhuron paraqitje të mira. Në një intervistë të dhënë pas ndeshjes ndaj Derbyt, Mehmeti theksoi se ka gjetur ekipin e duhur ku do të mundet të shfaqë aftësitë e tij.
Ndër të tjera, 25-vjeçari tha se Ipsiwch është ekip i denjë për Premier League.
“Ne e dimë që “Pride Park” është një vend i vështirë dhe duhej që të rikuperonim pas dy rezultateve të fundit. Ia dolëm ta bënim këtë. Djemtë ishin këmbëngulës dhe jam i lumtur që morëm tre pikët. Po e shijoj shumë kohën time këtu. Kam ardhur me ambicien që të ngjitemi një kategori më lart me këtë klub të madh. Ndaj po i gëzohem kohës time këtu dhe po marr çdo ditë si të vijë, duke shijuar futbollin tim dhe duke u munduar që të kontribuoj në fitoret.
Ne jemi besimplotë, djemtë e kanë bërë këtë edhe më parë. Ne thjesht i marrim gjërat ditë pas dite si të vijnë. Sipas meje, me shumë mundësi jemi ekipi më i fortë në këtë kampionat. Ndaj kemi çdo mundësi që të bëjmë atë që duhet të bëjmë, që do të thotë të fitojmë ndeshje dhe shpresojmë që të arrijmë objektivin tonë në fund të sezonit”, tha Mehmeti.
