Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer ndaj kritikëve të procesit të Rindërtimit dhe shkas janë bërë komentet në FB në adresë të tij për një fragment video-je ku tregohej një kolonë me 4 hekura.

Rama ka sqaruar se kolona është me 4 hekura sepse pjesa brenda mbushte me beton por ai thotë se disa njerëz fjala e keqe u vjen si kryefjala e mendimit të tyre edhe kor shohin një punë të mirë.

Më tej kryeministri ka thënë se këta njerëz nuk mund t’i justifikojë kur shpifjet dhe sajesat e sharjet janë bërë normë komunikimi në debatet publike, mediatike dhe politike.

Por ai premton se Rindërtimi do të jetë një faqe e bukur për të trashëguar një Shqipëri edhe më të bukur se ajo 7 vite më parë.

STATUSI NGA EDI RAMA

ÇUDI E MADHE?

Duke ndjekur komentet tuaja në makinë gjatë kthimit në zyrë pasi vumë tullën e parë të Rindërtimit sot, më ra në sy që disa nga ju kapeshin tek “4 fijet e hekurit” të kolonës mbajtëse të shtëpisë, duke përqeshur, sharë e deri edhe mallkuar, sepse sipas tyre, shtëpia do binte nga era, paratë ishin vjedhur, njerëzit ishin mashtruar, etj.
Po si ka mundësi si(!), si ka mundësi që mllefi, verbëria, padurimi a ku di unë se çfarë, t’i shtyjnë disa deri në këtë pikë dhe të mos e kuptojnë as vetë se sa qesharakë bëhen, kur fjala e keqe u vjen si kryefjala e mendimit të tyre edhe kur, dreqi e mori, shohin një punë të mirë!
Po si ka mundësi që edhe njerëz që punojnë, djersijnë, jetojnë me mundin e tyre, kur vjen puna për të parë punën e të tjetrit a tonën në këtë rast, verbohen dhe prishin gojën pa asnjë gajle pavarësisht se sa e gabuar është ajo që thonë!
Po si ka mundësi që dikujt të mund t’i shkojë mendja se kjo “kolonë me 4 fije hekur” na qenka prova e të gjitha të këqijave, kur në fakt është thjesht skeleti i kolonës, që mbushet me hekur! Por nuk kam se si të mos i justifikoj në fund njerëzisht e zakonshëm që flasin kësisoj, kur shpifjet, sajesat e sharjet, janë kthyer prej kohësh në normë komunikimi në hapësirën e debatit publik, politik e mediatik!

E që ta mbyll, Rindërtimi do të jetë një faqe e bukur e punës sonë të stërmundimshme (e jo pa të meta) për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë, më të drejtë, më të bukur se ajo që trashëguam 7 vjet më parë dhe një shembull që të kujtohet gjatë, për transformimin e jashtëzakonshëm social e urban që do të sjellë, aty ku në 26 nëntor fatkeqësia e madhe goditi fort duke sjellë vdekje, plagë e ankth për të nesërmen, e cila do të jetë shumë më e ndritur se e djeshmja për mijëra familjet e prekura nga ajo fatkeqësi❤️???

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb