Ish-ambasadori serb Nebojsa Vujoviç ka deklaruar për N1 se kancelari austriak Christian Stocker i përcolli një mesazh të qartë nga Bashkimi Evropian Presidentit serb Aleksandër Vuçiç gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd.

Mesazhi sipas tij ishte: “Mos shpallni gjendje të jashtëzakonshme dhe mos e vendosni ushtrinë në rrugë”.
Sipas Vujoviçit, shërbimet perëndimore të inteligjencës ishin në dijeni të konsideratave të Vuçiçit dhe mesazhet që ai mori ishin “të mprehta, megjithëse të transmetuara me edukatë” – duke e paralajmëruar atë të mos përdorte forcë të tepruar kundër studentëve dhe medias.

“Veprime të tilla, mund të shkaktonin një reagim të ashpër nga media dhe opinioni publik evropian, duke e izoluar më tej Vuçiçin dhe qeverinë e tij”, tha ai, ndërsa shtoi se zyrtarët e BE-së e bënë të qartë se Vuçiç do t’i mbante pasojat personale të lëvizjeve të tij të ardhshme dhe se Brukseli nuk do të shërbente si “ombrellë” mbrojtëse e tij.

“Thelbi i mesazhit ishte – jini të kujdesshëm, mos bëni gabime, ndihmoni veten dhe përmbushni atë që na keni premtuar”, tha Vujoviç. Ai e krahasoi qëndrimin e Vuçiçit me atë të ish-liderit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, duke sugjeruar se nëse Vuçiç përmbush të gjitha angazhimet ndaj Perëndimit, ai do të sigurojë “një dalje dhe një shtëpi të sigurt jashtë vendit”.

Por nëse jo, paralajmëroi Vujoviç, “po vijnë valë që askush nuk do të jetë në gjendje t’i kontrollojë. Ndërkohë, Evropa po e luan këtë lojë vetëm për interesat e veta”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb