Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të mos e sulmojë Iranin, teksa udhëheqësi amerikan shprehu optimizëm lidhur me bisedimet bërthamore që administrata e tij po mban me Teheranin.
Irani tha se po mund ta shqyrtojë mundësinë që të lejojë amerikanët të inspektojnë ndërtesat e saj bërthamore si pjesë e ekipit vëzhgues bërthamor të Kombeve të Bashkuara, nëse arrihet një marrëveshje.
Trump u pyet nëse gjatë bisedës telefonike që ka zhvilluar me Netanyahun i ka thënë që të mos ndërmarrë asnjë veprim që do të pengonte diplomacinë. Udhëheqësi amerikan u përgjigj: “Të jem i sinqertë, i kam thënë”.
I pyetur sërish nga gazetarët se çfarë i ka thënë kryeministrit izraelit, Trump u përgjigj: “I thashë se nuk mendoj se është e përshtatshme, po zhvillojmë diskutime shumë të mira me ta”.
Udhëheqësi amerikan shtoi se “i thashë që nuk do të ishte e përshtatshme ta bënte këtë tani sepse jemi shumë pranë një zgjidhjeje”.
“Mendoj se ata do të arrijnë një marrëveshje dhe nëse ne arrijmë një marrëveshje do të shpëtohen shumë jetë” – përfundoi Trump.
(BalkanWeb)
