Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, nga Kuvendi lëshoi akuza në drejtim të opozitës, se kjo e fundit po zvarrit procesin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Ai tha se opozita duhet ta ndajë, nëse është opozita e Shqipërisë, apo e klubeve.
“Komisioni i Ligjeve nuk është prokurori, dhe nuk merret me hetime. Rrini aty, se ju kam dëgjuar dër-dërr. Firmat i keni tërhequr përtej afatit të vendosur në 2 dhjetor. Kjo tërheqje nuk ka efekte juridike. Ju sot, e tundët rregulloren e Kuvendit dhe e bëtë copa. Ka një nen këtu thoni ju, neni 72, por ju i referoni mendimit të kualifikuar! Ore zotërinj, ligji ndahet në krerë, seksione dhe nene. Mos e dëgjoni Bylykbashin, se ka eksperiencë, por si juridike. Mos e ngatërroni kekun me byrekun se ndryshe do të bini ndesh. Çështjen e tërheqjes së firmave jashtë afateve, bie ndesh me kushtetutën. Ne konsensusin ua lamë, ua sollëm listën nga data 17-2. Ne thamë; mblidhni emrat, se ne nuk do të ndërhyjmë. Me firmë ua dhamë ju, me votë është sot. Se di kush është as lepuri i Surrelit dhe ujku i Cërrikut. Ju po ziheni se kush është Ujku i Cërrikut dhe Lepuri i Surrelit. Ky proces duhet t’i jepet një fund. E keni kthyer Avokatin e Popullit si vend pune, se kush ta marrë nga opozita. Kërkoj që sot të kalohet për votim me kandidatët për Avokatin e Popullit. Dy herë e kemi zgjedhur me konsensus, një herë kur ishim ne në opozitë dhe ju në qeveri. Dhe një herë e kundërta, atëherë ishte Luli. Ndajeni mendjen, jeni opozita e Shqipërisë, apo opozita e klubit.”, tha ai.
