Në një mbrëmje me dy fytyra në Metropolitano Stadium, Atlético Madrid përmbysi një pjesë të parë të ndërlikuar dhe shkatërroi 4-1 Club Brugge, falë një Alexander Sorloth të papërmbajtshëm dhe kontributit vendimtar të ish-lojtarëve të Atalantës.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, por pa shumë qartësi nga vendasit. Zhbllokimi erdhi në minutën e 23-të: Sorloth goditi me të majtën, duke përfituar nga një gafë e rëndë e portierit Simon Mignolet, i cili e la topin t’i rrëshqiste mbi duar në një ndërhyrje të pasigurt. Reagimi i belgëve nuk vonoi. Në të 36-ën, pas një goditjeje nga këndi, devijimi i Brandon Mechele gjeti në zonë Joel Ordóñez, që me kokë barazoi shifrat.

Pjesa e dytë nisi me një tjetër fytyrë për madrilenët. Në minutën e 48-të, Johnny Cardoso lëshoi një goditje të fuqishme nga jashtë zone që përfundoi në rrjetë, duke rikthyer epërsinë dhe duke tronditur sërish Mignolet. Me kalimin e minutave, Atlético mori kontrollin e plotë. Në të 76-ën, kundërsulmi fatal u nis nga Ademola Lookman, i sapofutur në fushë. Devijimi i tij u kthye në asist të artë për Sorloth, i cili realizoi golin e tretë personal dhe vulosi praktikisht ndeshjen.

Në minutën e 87-të erdhi edhe “qershia mbi tortë”: pas një asistimi të saktë nga Matteo Ruggeri, Sorloth shtyu topin në rrjetë nga fare pranë, duke kompletuar tregolëshin dhe duke mbyllur llogaritë në 4-1. Një fitore me karakter për Atlético Madridin, që tani pret të mësojë kundërshtarin anglez të radhës: Tottenham Hotspur i drejtuar nga Igor Tudor, apo Liverpool F.C., kampioni në fuqi i Anglisë.

I lumtur për kualifikimin e “Los Cholchoneros” ishte edhe tekniku Diego Simeone, i cili e komentoi kështu suksesin e të tijëve: “Jam shumë i lumtur, ka shumë punë të madhe pas këtyre rezultateve, të cilat po fillojnë të jenë më shumë pozitive sesa negative,” tha Diego Simeone. “Shumë lojtarë të rinj na u bashkuan sezonin e kaluar dhe shumë të tjerë këtë sezon, ndaj rishpikja e vetes nuk është kurrë e lehtë. Kur shoh gatishmërinë dhe bindjen e zëvendësuesve kur hyjnë në fushë, kjo më emocionon. Jam një njeri i futbollit dhe kur shoh atë përkushtim ndaj idesë, ndaj asaj që po kërkojmë, ndihem shumë i identifikuar me të,” shtoi Simeone.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb