Banorët e Poliçanit kanë dalë sërish në protestë kundër shkrirjes së Bashkisë Poliçan, ndërsa në shesh është marrë edhe një vendim i fortë politik; anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë dhënë dorëheqjen në mënyrë unanime.
Sipas tyre, edhe lista pasardhëse e këshilltarëve ka deklaruar dorëheqjen. Protesta është zhvilluar pikërisht në ditën kur ka nisur programi “Besa”, ndërsa banorët kanë shprehur pakënaqësinë për mungesën e deputetëve në Poliçan. Ata deklaruan se prisnin që përfaqësuesit politikë të shkonin për të dëgjuar shqetësimet e komunitetit, por sipas tyre, asnjë deputet nuk ishte i pranishëm.
Banorët kundërshtojnë reformën e propozuar për riorganizimin e njësive vendore, duke argumentuar se ajo po kërkohet të realizohet me nxitim, ndërsa pasojat, sipas tyre, do të jenë afatgjata.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Mimoza Kula, tha se kundërshtimi lidhet edhe me rrezikun e humbjes së vendeve të punës dhe dobësimit të shërbimeve për qytetarët.
“Jemi kundër një reforme që mund të sjellë dhe humbjen e vendeve të punës për shumë profesionistë dhe punonjës në administrata, shërbime e fusha të tjera, sepse pas çdo vendi pune është një familje, pas çdo shërbimi është një qytetar dhe pas çdo familjeje që largohet është një tjetër hap drejt zbrasjes së qytetit dhe territorit”, u shpreh Kula.
Ajo theksoi se kundërshtimi nuk lidhet vetëm me godinën e bashkisë, por me ruajtjen e institucionit dhe shërbimeve për komunitetin.
“Ne nuk mbrojmë godinën, por mbrojmë institucionin. Këshilli Bashkiak, pasi zhvilloi takimet në njësitë administrative Vërtop, Tërpan dhe Poliçan, mori vendimin unanim të kundërshtojë shkrirjen e Bashkisë Poliçan”, tha Kula.
Sipas saj, banorët nuk do të tërhiqen nga protesta nëse reforma vijon.
“Ne nuk pranojmë që qyteti ynë të shkrihet. Nëse do shkrini Bashkinë e Poliçanit, ne do të vijojmë protestat”, deklaroi ajo.
Kula kritikoi gjithashtu mungesën e deputetëve në takimet me banorët e Poliçanit.
“Sot është dita që deputetët do takonin e dëgjonin banorët, por asnjë deputet nuk erdhi në Poliçan, por shkuan vetëm në tre bashki të qarkut”, tha ajo.
Në fund, kryetarja e Këshillit Bashkiak u bëri thirrje edhe bashkive të tjera që rrezikojnë të preken nga reforma që t’i bashkohen protestës së Poliçanit përpara Parlamentit.
“Mos e bëni këtë reformë, e cila ka dështuar që në fillim. I bëjmë thirrje të gjitha bashkive të cilat rrezikojnë, të na bashkohen në protestën tonë, që do vijojë përpara Parlamentit. Besa është vota jonë, zoti Kryeministër, ne ua dhamë besën juve, por ju nuk e mbajtët besën ndaj nesh”, përfundoi Kula.
