TIRANË – Televizioni “News 24″ ka siguruar një video-skandal, në të cilin janë përfshirë 2 punonjës të Policisë Rrugore dhe një qytetare. Mësohet se ajo quhet Alma Martini dhe është nga Lezha, 40 vjeçe. Në videon që transmetohet, një qytetar ka filmuar konfliktin ndërmjet tyre, në Tiranë, konflikt që kthehet në përplasje fizike. Pas kësaj videoje, ka reaguar menjëherë Policia e Shtetit, duke i pezulluar dy punonjësit e saj si dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka falenderuar “News 24”.

Ngjarja ka ndodhur pasi gruaja ka marrë një gjobë për kundravajtje me mjetin e saj “Renault”, të cilën e ka refuzuar. Duke hedhur fletën e gjobës, nga pakujdesia, Martini ka hedhur në tokë edhe patentën. Policët ia kanë marrë patentën dhe kërkesës së qytetares për t’ia kthyer, i janë përgjigjur me fjalë fyese. Kjo e ka acaruar më shumë situatën; ajo i ka pështyrë punonjësit e Policisë, ndërsa njëri prej tyre e ka qëlluar me shuplakë.

“News 24” mësoi se pas incidentit, Martini është shoqëruar nga Policia. Pamjet janë filmuar nga një qytetar në zonën pranë stadiumit “Dinamo”, këtë të shtunë rreth orës 15.30.

Burime nga Policia Rrugore thanë për “News 24” se 2 efektivët nuk ia kishin marrë patentën, qytetares, por asaj i kishte rënë në tokë. Sipas tyre, Martini i kishte sharë, fyer dhe goditur efektivët edhe para momenteve të filmuara në video.

REAGON MINISTRI TAHIRI: PUNONJESI I POLICISE TE SILLET SIPAS LIGJIT, FALEMNDERIT NEWS 24

Pas transmetimit të videos në “News 24”, mësohet se dy punonjësit e Policisë Rrugore, protagonistë të videos, janë pezulluar nga detyra mbëmjen e sotme “për veprime dhe mosveprime” deri në verifikimin e rrethanave të ngjarjes. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Në një mesazh në Fb, ai shkruan:

“Pavarësisht çdo rrethane, punonjësi i Policisë duhet të sillet sipas ligjit. Falenderoj Policinë për reagimin e menjëhershem me pezullimin e punonjësve të Policisë deri në sqarimin e plotë dhe marrjen e masave për çdo shkelje të rregullave gjatë ushtrimit të detyrës.

Falenderoj “News 24 për kontributin. Kemi shumë rrugë deri në përsosjen e Policisë së Shtetit për ta kthyer në institucionin që duam, duke reflektuar korrektesë, etikë, profesionalizëm dhe respekt maksimal ndaj ligjit. Dhe në këtë rrugë, duhet të jemi të gjithë bashkëudhëtare, institucione, media dhe mbi të gjitha qytetarët.”

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb