Tensionet vijojnë pranë Kryeministrisë, teksa protestuesit janë përplasur verbalisht me efektivët e Policisë në pritje të mbërritjes së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Forcat e rendit kanë ndërhyrë për të larguar protestuesit dhe për t’i mbajtur ata larg perimetrit të sigurisë të ngritur pranë godinës së Kryeministrisë.

Gjatë ndërhyrjes së efektivëve, protestuesit kanë lëshuar thirrje të forta kundër Policisë dhe kryeministrit Edi Rama.

“Polici e Gysit”, “Polici e krimit”, “Arrestoni Ramën” dhe “Turp”, kanë qenë disa prej thirrjeve të qytetarëve.

Në pamje shihen efektivët teksa krijojnë kordon dhe largojnë protestuesit nga zona, ndërsa këta të fundit kundërshtojnë ndërhyrjen dhe vijojnë thirrjet.

Situata zhvillohet në prag të mbërritjes së Von der Leyen në Kryeministri, ku është parashikuar takimi me kryeministrin Edi Rama. Për shkak të vizitës dhe protestës së paralajmëruar, në zonë janë vendosur masa të shtuara sigurie.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb