Autoritetet kosovare kanë filluar zbatimin e një plani operativ, mbi bazën e të cilit është formuar një grup pune që do të merret ekskluzivisht me ngacmimin seksual të grave në veriun e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Në grupin e punës janë përfshirë policia për rendin dhe qetësinë publike, pjesëtarë të policisë kufitare, një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa grupi do të monitorohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe EULEX-i [Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit]”, ka thënë Elshani.

Më 14 maj, Radio Evropa e Lirë raportoi për denoncimet gjithnjë e më të shpeshta për ngacmime seksuale ndaj grave në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Gratë që kanë pohuar se kanë përjetuar këto përvoja të pakëndshme kanë dëshmuar për REL-in për frikën dhe zemërimin që ndiejnë, por edhe për mungesën e besimit në institucionet që, sipas tyre, nuk kanë reaguar në mënyrë adekuate.

Më pas, ministrja në detyrë e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, më 23 maj vizitoi Mitrovicën e Veriut për të biseduar për këtë çështje me përfaqësues të Policisë dhe të Prokurorisë.

Haxhiu u ka bërë thirrje të gjitha grave të cilat përjetojnë ngacmim seksual që rastet t’i raportojnë menjëherë në institucionet përkatëse.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, ngacmimi seksual është çdo “formë e sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues”. Dënimi për këtë vepër penale mund të jetë me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Gratë në veri të Kosovës, deri më tani, zakonisht nuk i kanë raportuar rastet e ngacmimit seksual sepse, sipas tyre, nuk kanë besim në Polici.

Elshani ka thënë për REL-in se këtë vit janë hapur tri raste të ngacmimit seksual, por në disa raste Policia nuk ka pasur prova të mjaftueshme përpara Prokurorisë.

Shpresa është që plani operativ të jetë i suksesshëm dhe që të mos ketë më nevojë të raportohen raste të tilla.  Sipas Elshanit, një pjesë e planit operativ është që në pesë rrugët kryesore në Mitrovicën e Veriut të vendosen nga dy policë me kamera në uniformë, që do të monitorojnë çdo ngacmim të mundshëm ndaj grave.

“Njëri ose të dy policët flasin gjuhën serbe, pika statike është në Lagjen e Boshnjakëve [një lagje shumetnike në Mitrovicën e Veriut], ndërsa gjatë natës angazhohen edhe hetues civilë. Do të ndalohen të gjithë personat e dyshimtë, ose ata që ngasin vetura me xhama të errët”, ka treguar Elshani.

Ai ka theksuar se Policia është e pranishme gjatë gjithë kohës në rrugët e komunave në veri të Kosovës, por se me planin e ri operativ është nisur me propozim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, për shkak të “aktualizimit të problemit”.

Plani operativ do të zgjasë tre muaj, ndërsa pas kësaj periudhe do të shqyrtohet nëse ka nevojë për zgjatje./REL

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb