KOSOVË-Policia e Kosovës, përmes një komunikate të lëshuar në orët e vona, ka thënë se ka vazhduar me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, monitorimin e situatës në vazhdimësi dhe kthimin e sajë në një situatë normale, të qetë dhe stabile.

Sipas policisë së Kosovës numri i personave të shoqëruar në stacione policore ka arritur në 97 persona, 11 prej të cilëve janë ndaluar për 48 orë me dyshimet për përfshirje në vepra penale, 53 janë dërguar në procedurë të shpejtë për përfshirje në raste të kundërvajtjes, 26 janë liruar në procedurë të rregullt, si dhe 7 të mitur janë liruar.

“Ndërsa numri i personave të lënduar të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga ana e protestuesve ka arritur në dhjetë 10 persona, kurse nga ana e zyrtarëve policorë janë lënduar 2 zyrtarë të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si dhe disa të tjerë që kanë pësuar lëndime sipërfaqësore, por që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, njofton PK.

Po ashtu, si pjesë e vazhdimit të detyrave policore, në koordinim edhe me prokurorin kompetent, policia thotë se në objektin e selisë së Vetëvendosjes, nga njësiti i Teknikës Kriminalistike të Policisë së Kosovës, është realizuar edhe këqyrja e vendit të ngjarjes, ku në cilësi të provave materiale janë konfiskuar:

2 copë gaz maska ushtarake, 1 sprej (OC) i vogël, 2 shufra metalike, 2 mjete të destinuara për gjuajtje të sferave me llastika, 4 qese me pluhur të dyshimtë, 2 qese me sfera xhami, një gaz lotsjellës, 3 radiolidhje mototrolla, 1 shishe me sasi ½ e litrës me plumba gome (26 copë), një fishekzjarr me barot, 3 boca gazi lotsjellës të zbrazëta, një qese najloni me 7 copa gaz lotsjellës, 1 qese me sfera me ngjyrë, 1 çantë me tri shishe plastike me sasi ½ litrës të mbushura me benzinë, 1 shishe plastike prej 1,5 litra me benzinë, 1 sprej i vogël OC (djegës), 1 sprej i madh OC (djegës), 2 qese me armatura të salduar (në formë iriqi) për shpim të gomave të veturave, 5 shishe në sasi prej 1,5 litra të mbushura me ngjyrë pink dhe13- copë maska të zeza (fantomka) për mbulim të fytyrës.

Policia e Kosovës thekson se bazuar në planifikimet e saja, vazhdon me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend.

Ndërkaq, Policia ka bashkangjitur edhe disa fotografi të mjeteve të dyshuara të përfshira në listën e konfiskimeve si prova materiale.

(d.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: