Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë shtuar ndjeshëm monitorimet dhe kontrollet në hapësirat detare, liqenore dhe lumore, nga Komani në Ksamil, me synim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe parandalimin e shkeljeve.

Gjatë javës së fundit janë kontrolluar 215 mjete lundruese, prej të cilave 15 janë bllokuar për shkelje të rregullave të lundrimit.

Ndërkohë, falë ndërhyrjeve të shpejta të strukturave policore, janë shpëtuar në det 39 qytetarë dhe 18 mjete lundruese, kryesisht për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Njoftimi:

Vijon intensivisht monitorimi i hapësirës detare, liqenore dhe lumore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.

Nga Komani në Ksamil, si rezultat i monitorimeve dhe i kontrolleve të kryera gjatë javës së kaluar, nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, janë kontrolluar 215 mjete lundruese, nga të cilat 15 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.

Konkretisht: 8 jet ski, 3 skafe, 3 gomone dhe 1 varkë metalike me motor uji të instaluar.

6 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100 000 lekë secili.

Gjithashtu, janë shpëtuar në det 39 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), si dhe 18 mjete lundruese, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, nga Ksamili në Koman, për shkak edhe të kushteve jo të favorshme atmosferike.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese dhe fton qytetarët e pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë, në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: