TIRANË- Drejtoria e Policisë së Tiranës ka kallëzuar penalisht pranë Prokurorit të Përgjithshëm 9 deputetë të Partisë Demokratike për protestën e djeshme tek liqeni.

Mësohet se janë kallësuar Flamur Noka, Albana Vokshi, Gert Bogdani, Genc Pollo, Arben Ristani, Asllan Dogjani, Edi Paloka dhe Ridvan Bode, të cilët akuzohen për “Organizimi dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishje e qetësisë publike” dhe “Goditje për shkak të detyrës” si dhe Gent Strazimiri, i cili përveç këtyre veprave penale akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

DEKLARATA E POLICISË
Në datë 28 mars 2016, në ora 11:00, te Kodrat e Liqenit Artificial, në vendin ku është duke u ndërtuar “Këndi i lojërave” nga Bashkia Tiranë, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një protestë pa leje, për prishjen e rrethimit të objektit të objektit.

Pjesëmarrësit në këtë protestë u grumbulluan para hyrjes së kantierit në ndërtim dhe rreth orës 11:30,deputetët Flamur Noka, Genti Strazimiri, Genc Pollo, Albana Vokshi, Arben Ristani, Asllan Dogjani, Gert Bogdani, Edi Paloka, të shoqëruar nga protestues të tjerë (13 prej tyre të arrestuar ditën e djeshme në flagrancë për veprime të dhunshme), tentuan dhe çanë me forcë kordonin e Policisë Bashkiake, të Policisë së Shtetit me veprime të dhunshme, dokumentuar me prova filmike, raport shërbimi dhe dëshmi të tjera.

Nga dhuna e ushtruar nga deputetët dhe protestuesit, u dëmtuan dhe po marrin mjekim në spitalin e Traumës, 3 punonjëse të Policisë Bashkiake. Në vijim të veprimeve të dhunshme të kryera nga deputetët e subjektit politik Partia Demokratike, referuar pamjeve filmike rezulton se deputeti Gent Strazimiri gjatë kohës që ishte në protestë krahas veprimeve të dhunshme ndaj policisë, i dallohej në brez një armë zjarri (pistoletë).

Zoti Strazimiri ka qenë i pajisur me armë zjarri në 26.03.2009, kur ka qenë zv/ministër i Brendshëm. Por në zbatim të Ligjit nr. 74/2014 “Për armët”, duke filluar nga 26.02.2016, lejet dhe aktet e tjera administrative që japin të drejtën mbi armët, humbasin fuqinë juridike. Deputeti Strazimiri, nuk ka kryer asnjë veprim për dorëzimin e armës, megjithëse është njoftuar edhe me një shkresë nga Komisariati nr. 3, Tiranë.

Policia e Tiranës i ka referuar Prokurorit të Përgjithshëm kallëzim penal për 9 deputetë të subjektit politik Partia Demokratike, konktretisht: – për deputetin Gent Strazimiri për veprat penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga nenet 262, 150, 235, 274 dhe 278 të Kodit Penal.

Për deputetin Flamur Noka për veprat penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Goditje për shkak të detyrës” parashikuar nga nenet 262, 150, 235, 274 dhe 237 të Kodit Penal.

Për deputetët Edi Paloka, Ridvan Bode, Asllan Dogjani, Gert Bogdani, Albana Vokshi, Genc Pollo, Arben Ristani, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Prishja e qetësisë publike” parashikuar nga nenet 262, 150, 235 dhe 274 të Kodit penal.

RISTANI: SHKELJE BËRI POLICIA, ERDHI E ARMATOSUR NË TUBIM
Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka reaguar në lidhje me padinë që policia e Tiranës ka bërë ndaj tij dhe 8 kolegëve të tij të djathtë, për protestën e djeshme tek Liqeni Artificial. Ristani ka pohuar se nuk ka dijeni për kallëzimin, ndërsa theksoi se deputetët nuk bënë asgjë të paligjshme. “Nuk kam dijeni për kallëzimin. Deputetët nuk bënë asgjë të paligjshme. Policia bëri shkelje, erdhi në tubim e armatosur”, deklaroi Ristani.
(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb