Libri “Specialët-elita e Policisë Shqiptare”, u kushtohet heronjve paqësorë, policëve të akteve sublime, sambistëve të heshtur, atyre që meritojnë përulje e respekt për veprat që kryejnë”. Kështu e nis parathënien e botimit të tij, ish-komandanti i forcave speciale, Hilë Lushaku. Ish-kreu i RENEA-s, tani studiues i çështjeve të policisë ka bërë një kronologji të forcave speciale shqiptare që nga viti “GSH” vazhdon sot pjesën e pestë të publikimit të këtij libri, që hedh dritë mbi veprimtarinë e repartit elitë të policisë shqiptare.
Tablo kriminaliteti e zhvillime ngjarjesh në vend, në vitin 1991, vendi e roli i repartit 326 në ruajtjen e rendit e të qetësisë
Zhvillimet e vitit 1990 ndikuan në lëvizjet e shumta të personelit, për largimin apo rekrutimin e kandidatëve të testuar dhe ripranimin e disa sambistëve të larguar më herët për shkaqe të ndryshme.
Ndërsa komanda e repartit 326 përcillte informata për gjendjen e gatishmërisë e punonte për kompletimin e organikës, udhëheqja e lartë e shtetit komunist po merrte masa për shtimin numerik të forcave të policisë, duke kaluar në varësi të Ministrisë së Brendshme të gjitha repartet ushtarake të Mbrojtjes Territoriale, të cilat kishin pak kohë që ishin organizuar.
Në çështjet e situatës së brendshme politike “dezertimi” i Kadaresë u “kompensua” me mbërritjen për një vizitë në Tiranë e bamirëses së njohur Nënë Tereza, e cila u prit në aeroportin e Rinasit nga kryetari i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ciril Pistoli, dhe në ditën në vijim pati takim me të venë e Enver Hoxhës, Nexhmijen, gjë që e pasqyroi edhe shtypi i kohës.
Dhjetori erdhi politikisht i zjarrtë, por akull i ftohtë, si stina e dimrit, për policinë e “zhveshur” nga pajisjet mbrojtëse në një situatë drithëruese për të ardhmen e paqartë të gjendjes së rendit. Thashethemet për rrëzimin e shpejtë të regjimit përhapeshin si zjarri në eshkë, ndërsa shpresa për rikthimin e besimit fetar, për lejimin e pronës private e shumë ndryshime të tjera tashmë nuk dukeshin ëndrra me sy hapur. Fija e nyjës ishte gjetur në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku “mund të kapej lehtësisht qypi për verigash”, mbasi mungesa e dritave, kushtet e këqija të jetesës e shumë çështje të tjera që lidheshin me dëshirat e të rinjve për një jetë më të lumtur ishin pika të ndjeshme. Aty shkëndijoi kundërshtimi, ndonëse fillimisht embrional. Edhe qeveria shqiptare nuk mund ta injoronte faktin se kishte lëvizje në universitet, por e kanalizoi këtë si problem për kushtet e jetesës. Duke njoftuar “Mbi gjendjen në Universitetin e Tiranës”, shtypi qeveritar publikoi se: “… gjendja vijon e çrregullt, shumica e studentëve nuk u paraqitën në mësim… kërkojnë takim me kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia”, i cili e ka pranuar e plotësuar kërkesën e tyre.
Një ditë mbasi Ramiz Alia u takua me studentët, lëvizja e tyre gjeti mbështetje në disa rrethe. E para “gjëmoi” Kavaja. Shtypi i PPSH-së shkroi: “Veprim huliganësh më qytetin e Kavajës”, duke njoftuar popullin se: “…u thyen 4000 metër katrore xhama, u dëmtua i gjithë ndriçimi i jashtëm i qytetit në vlerën që kap shumën 12000 lekë, u sulmuan 45 njësitë tregtare e ato të shërbimit të popullit, janë grabitur 10 prej tyre, u dëmtua godia e re e PTT-së…”. E ndërsa Kavaja vlonte inatin antikomunist, studentët u grumbulluan në një miting tjetër në “Qytetin Studenti” dhe paraqitën një kërkesë të re, tashmë plotësisht politike, atë të lejimit të krijimit të Partisë Demokratike, madje aty u lexua edhe projektprogrami i kësaj partie, akoma e panjohur dhe e pamiratuar.
Ende pa u njoftuar çfarë ndodhi në Kavajë, vandalizmi zaptoi Shkodrën e kulturës. “Veprime vandaliste në qytetin e Shkodrës”, u detyrua të publikojë “Zëri i Popullit”, i cili bëri me dije se “një grup rrugaçësh kryen akte të rënda dhune e shkatërrimi”, “sulmuan e goditën me gurë godinat e Komitetit të Partisë dhe të Komitetit Ekzekutiv dhe u futën e bënë vandalizma në stacionin e Radio Shkodrës…”. Më tej njoftimi pohoi se krahas forcave të rendit u mobilizuan edhe forcat e ushtrisë, mbasi vandalët u vunë zjarrin disa dyqaneve, thyen xhama, vodhën mallra, përdoren dinamit në disa objekte dhe armë zjarri kundër forcave të rendit e të ushtrisë. Në këtë ngjarje u plagosen mbi dhjetë vetë nga të dyja palët dhe u arrestuan mbi 30 keqbërës.
Pas Kavajës e Shkodrës, skenari i demonstrimeve vijoi në Elbasan e Durrës, për të cilat organi qendror i Partisë së Punës, “Zëri i Popullit”, njoftoi: “Veprime keqbërësish në qytetin e Elbasanit e të Durrësit”, duke informuar publikun se demonstruesit e dhunshëm “me veprimet e tyre vandale thyen vitrinat e dyqaneve dhe plaçkitën pasurinë e popullit, i vunë zjarrin një kinkalerie e disa librarive”. Gazeta pohoi për arrestimin e disa personave, të cilët i etiketoi hajdutë e keqbërës dhe pranoi se janë plagosur më gurë 6 persona nga forcat e rendit, dy prej tyre, njëri komisari, janë shtruar në spital. Duke njoftuar zhvillimet në këto rrethe, gazeta informoi publikun se në Durrës demonstruesit kanë thyer xhamat e njësive tregtare.
Në të gjitha këto ngjarje aktivizimi në shërbim i repartit 326 ka qenë me kompletim të plotë në të gjitha rrethet dhe padyshim Tirana ishte epiqendra, ku filluan kontrollet masive për persona të dyshuar e të armatosur. Në një kontroll në hotel “Vjosa” u kap shtetasi H.B., ndërsa në Fier u kap Gj.Gj., të cilët të dy së bashku posedonin 25 granata dore ofensive dhe 30 kallëpe dinamiti me fitil zjarrpërcjellës e kapsolla detonatori, të cilat sipas policisë, do të përdoreshin në Tiranë për akte terroriste. Armë e mjete të tjera të rrezikshme u janë kapur edhe personave të tjerë (arsenal thikash, doreza hekuri). Ndërsa policia ishte në këmbë, më 17 dhjetor 1990 iu vu flaka një magazine në uzinën “Enver”, duke shkaktuar një dëm ekonomik mbi 2.6 milionë lekë. Duke vlerësuar objektet që sulmonin demonstruesit, kuptohet se tendenca kryesore ishin ato ku i shërbehej popullit, objekte që shkaktonin zemërim, sillnin dëm ekonomik e pasoja jetike. Qeveria vlerësoi e gjykoi ndëshkimin e shpejtë të organizatorëve e protagonistëve kryesorë dhe më 20 dhjetor njoftoi publikisht se ata (janë një grup prej 7 vetësh) deklarohen fajtorë e dënohen nga 13-20 vite burg.
Ndërsa “Zëri i Popullit” njoftonte për dënime, gazeta serbe “Tanjug” shkruante për shifra të dhjetë e qindfishuara për vrasje, plagosje e arrestime të demonstruesve në rrethet që u sipërpërmendën, gjë të cilën e kundërshtoi Sami Milloshi me shkrimin: “Tanjug-ut nuk po i dalin llogaritë”.
Do i quaja groteske zhvillimet propagandistike të qeverisë përballë këtyre veprimeve banditeske e shkatërrimtare, për më tepër në një vend ku shoqëria nuk i imagjinonte sjellja të tilla destruktive, kur ishte propaganduar ndryshe parajsa socialiste.
Gazeta “Zëri i Popullit” përhapte lajme për qetësi, rregull, solidaritet, mbështetje për PPSH e Ramiz Alinë, duke mbajtur të hapur rubrikën “Të bashkuar do të ecim në rrugën e demokratizimit të vendit” e ndërkohë botonte letra e telegrame të pafundme që i dërgoheshin Ramizit, kurse sambistët qëndronin të “salduar” mbi karroceritë e makinave “Ifa”, duke shkuar sa në një rreth në tjetrin.
Vlen të theksohet se në ngjarjet e fillim dhjetorit dhe zgjerimin e lëvizjes studentore në Tiranë sambistët treguan durim e vetëpërmbajtje në përballjen midis tyre në afërsi të liceut artistik, në rrugën e Elbasanit.
E “kryqëzuar” nga lëvizjet asfiksuese të demonstratave e gjendja katastrofike ekonomike në vend dhe pamundësia për t’u përballuar me demonstruesit pa gjakderdhje, qeveria u detyrua të plotësojë kërkesat e tyre për heqjen e bustit të Stalinit. Në darkën e 21 dhjetorit 1990, me VKM u vendos të hiqet emri “Josif V.Stalin” dhe simbolet nga ndërmarrjet, objektet e institucionet e ndryshme.
Të nesërmen e publikimit të këtij vendimi u zhvillua një miting i madh nga Partia Demokratike në qytetin “Studenti”, ku folën Sali Berisha, Eduard Selami, Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Preç Zogaj dhe përshëndeti edhe një përfaqësues i LDK-së, ndërkohë që shtypi vijonte rubrikën: “Mbështetje mbarëpopullore për Partinë” (këtu kupto Partinë e Punës së Shqipërisë-H.L.), duke shprehur një solidaritet të jashtëzakonshëm me mitingje, letra e telegrame të pafundme edhe nga rrethet më të largëta.
Ndërkohë në Shkodër, disa ditë më parë, sambistët kishin kryer shërbime për arrestimin e disa personave që ishin më agresivët në rrëzimin e bustit të Stalinit. Preç Zogaj, duke komentuar heqjen fshehurazi të bustit të Stalinit në Tiranë, shkroi: “Natën e 20 dhjetorit 1990 truporja hijerëndë e Stalinit u hoq fshehurazi nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe më poshtë ai përmend se ndërsa këtu busti u hoq nga qeveria, në Shkodër ende qëndrojnë në burg të dënuarit që shemben bustin, ku liston: Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi (dënimet vijnë në ulje për të gjithë të poshtëshënuarit), Rin Monajka, Kolec Ublina, Kolec Dajka, Aldo Ferizi, Flamur Elbasani, Nikoll Malgjini e dy të tjerë me mbiemrin “Kasneci”. Duke u lutur për përkujtimin e nderimin e të ndjerit të harruar në kohën e demokracisë edhe nga miqtë e tij bashkëvuajtës, Rin Monajkun, miku i tij Fritz Radovani, me qëndrim në Melburn, Australi, më dërgoi shkrimin “Rin Monajka (Dukagjini), 11 qershor 1953-1 maj 1997”, ku evidenton Rinin, një prej pjesëmarrësve të demonstratës së 14 dhjetorit 1990, që u zhvillua në Sheshin “Dëshmorët e Shkodrës”, për rrëzimin e bustit të Stalinit. Radovani shpreh drithërueshëm ndjenjën e frikës me fjalët: “Mijëra vetë drejtue sytë nga toka, presin kur po shprazën mbi kokat e tyne automatikët nga dritaret e hotel Turizmit, Sahatit Inglizit, hetuesisë apo apartamentit mbi PTT e qytetit, që ishin të mbushun me sampistë kriminel të ardhun nga Tirana, vetëm për gjakderdhje e masakra ndaj Rinisë “rebele” shkodrane… Një natë më parë ishin kapur nga forcat speciale, të ardhuna për këtë qellim nga Tirana, Rini Monajka, djali trim që kishte njoftue Ambasadën Gjermane për aksionin e organizuem me këte rasë… Rin Monajka ishte ndër kryesorët organizatorë me Gjergj Livadhin, Dedë Kasnecin dhe djem të tjerë që nuk e “njohën” frikën e sigurimit katil të shtetit komunist… Mikrobuzët e bardhë të poliklinikës vazhdonin fotografimet dhe gatishmëninë!.. Numri i të arrestuemëve i kalon të 120 të rinj dhe të reja, që torturohen mizorisht nga organet e Sigurimit. Një pjesë përcillen për Tiranë ndër labirintet e zymta të Ministrisë së terrorit… Mbas disa muej tortura e vuejtje një grup u dënue me nenet 57 dhe 55 të Kodit Penal të RPSSH, që ishte në fuqi më këtë motivacion: “Për krijimin e një organizate kundër revolucionare me karakter antisocialist. Për krime kundër Shtetit dhe për përmbysje të tij me dhunë…” Në vitin 1991 Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shkodrës, vetë kryetari Ferdinand Temali kërkoi me forcë lirimin e të dënuemve për rrëzimin e monumentit të diktatorit Stalin. Me pjesëtarët e grupit u lirue edhe Rini Monajka…”.
Sa ngjau në 6-mujorin e dytë, e në veçanti në dhjetorin e vitit 1990, vuri në provë të vështirë jo vetëm qeverinë, por edhe repartin special të policisë, nr.326. Nga analizat e zhvilluara u vlerësua se duhen ndërmarrë masa urgjente për fuqizimin e repartit, ndër të cilat u vlerësua parësore kompletimi organik me policë sambistë, mbasi kishte filluar tkurrja e tyre e largimi jashtë shtetit. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti u pranuan 173 policë sambistë. Krahas shtimit të limitit organik, me policë sambistë, komanda paraqiti imediate shtimin e numrit të oficerëve, ndaj me shkresë nr.4, datë 5.01.1991, dërgoi propozimin për titullimin “oficer” të 19 policëve sambistë.
Ndërsa reparti special fuqizohej e “freskohej” me sambistë e oficerë propaganda mediatike, në përkrahje të Ramiz Alisë e PPSH-së, nuk kishte të reshtur. “Jemi me ty sa të jetë jeta” ishte titulli i një teleteksti që përcolli Halil Buçpapaj nga Bajram Curri, duke i bërë jehonë një veprimi antidemokratik të një personi, i cili ndërsa zhvillohej mitingu i PD-së, më 10 janar 1991, mori mikrofonin në tribunë dhe brohoriti: “Rroftë Partia e Punës”, “Rroftë shoku Ramiz Alia”, veprim që gjeti përkrahjen e madhe të shumë qytetarëve tropojanë, të cilët organizuan një antimiting të madh spontan. Siç rezultoi më pas veprimi i tropojanit duket se ishte një kundërpërgjigje për antimitingjet që kishin filluar edhe nga pala tjetër, PD, në disa rrethe të vendit, sidomos në Shkodër, Laç, Tiranë, Kavajë, Krujë etj. “Anarshistët nuk i lejojmë të na prishin mbledhjet”, shkroi “Zëri i Popullit”, duke përmendur raste që grupe simpatizantësh të PD ushtronin dhunë, fyenin, bënin presione në kor kundër njerëzve të urtë, por që nuk ishin në mbështetje të partisë së tyre.
Krahas këtyre ndodhive antidemokratike dypalëshe, shqetësimi i qeverisë ishte i madh për ndërprerjen e punës në minierën e qymyrgurit në Valias, ndaj pati angazhime për qetësimin e tyre në takime të shumta për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve, për shpërblimin, kushtet e punës, pensionet, teknologjinë në minierë. Atë kohë llogariteshin mbi 51 mijë punëtorë që punonin nën tokë. Intelektualë të shumë bënin thirrje e shkrime për qetësi e zgjidhje graduale e në rrugë ligjore të kërkesave. Në një shkrim, titulluar “Populli do qetësi”, Namik Dokle prezantoi shqetësimin publik e bëri thirrje për gjakftohtësi, logjikë, t’i çelim sytë, të mos provokohen ndjenjat e popullit, duhet “urtësi popullore, tolerancë partiake dhe gjakftohtësi politike që të mund të mbyllen rubinetet e benzinës, aty ku shkëndijat tashmë nuk mungojnë”.
Mbajtjen e rendit publik nuk po e favorizonte as gjendja e mjeruar ekonomike, e cila ishte “benzinë” në grykën e flakës që kishte ndezur lëvizja antikomuniste në vend. Më 15 janar 1991 u zhvillua një mbledhje e posaçme e Këshillit të Ministrave për gjendjen e rëndë në ekonomi, duke shqyrtuar kryesisht gjendjen e krijuar në minierën e Valiasit nga lëvizja greviste e ndërprerja e punës dhe aty u miratuan disa masa, sikurse ishin shtesa e pagës mbi 30-50% sipas shkallës së vështirësisë së punës në miniera, rritja e fondit të pagave, vijimi i dialogut, bashkëpunim më të madh me grevistët punëtorë, thirrje subjekteve politike për qetësimin e gjendjes e vlerësimin e interesave kombëtare etj.
Edhe pse vendi ishte në mjerim ekonomik e gjendja e rendit po rrëshqiste drejt kriminalitetit ekstrem, grupe të caktuara organizonin e kryenin akte skandaloze që shqetësonin popullin fukara e ndërkohë lodhnin deri në rraskapitje shërbimet e policisë. Shkrimi “Kë qëllojnë me gurë këta njerëz”, i qytetarit Hysni Prengizi është prezantim i një rrugaçërie rrëqethëse: “…më 12 janar 1991 autobusi i linjës Bajram Curri-Fierzë, i rrethit Tropojë, në stacionin e Geghysenit, ora 17:30 goditet me gurë nga sipër. Një vogëlush 4-vjeçar desh e hëngri kokës… Po këtë ditë ka thyerje të xhamave të autobusit në Cërrnicë… thyerje të xhamave të shkollave të mesme në Bujan e Cërrnicë…”. Këtij shqetësimi i bashkohet edhe shtetasi Gjovalin Memaj, i cili në shkrimin “Pse lejohen këta njerëz t’i bien në qafë popullit”, thekson: “…janë një grup rreth100 veta rrëzë Munellës e Krrabit, që u dalin përpara autobusëve të Pukës, Bajram Currit e Kukësit, në Mjedë… kërcënojnë shoferët (i detyrojnë të heqin parulla e fotografi që janë në autobusë), i detyrojnë të grenë dy gishtat lart, i gjuajnë me gurë, u thyejnë xhamat… Një tjetër grup i tillë veproi në Fushë-Krujë mbi një veturë të Pukës…”.
Teksa lexon për ngjarje të tilla në zonat periferike të vendit, lehtësisht kuptohet se çfarë bëhet aty ku popullsia është shumë e madhe, ku ka grumbullime punëtorësh, studentë. Duket se vandalizmat e orkestruara në qytetet kryesore në qendër të vendit dhe ato në bllokimin e porteve në Durrës e Vlorë ishin në sinkron edhe me përhapjen e dhunës edhe në akset ku kalojnë mjetet e transportit urban e interurban, duke shkaktuar njëherazi zemërim të madh popullor.
QENDRIMI I AZEMIT
Lufta politike po vinte gjithnjë e më shumë drejt ashpërsimit. Azem Hajdari lëshoi një deklaratë sensacionale: “Në Shqipëri ka një milion komunistë, një milion hajdutë dhe një milion të papunë”, e cila solli shumë reagime politike nga përfaqësuesit e PPSH-së.
Kur politika kishte ndezur të gjithë motorët e zhurma shurdhuese e asaj megalomanie po trulloste mendjen e shqiptarëve në udhëkryqin e mallkuar të varfërisë së tejskajshme, duket se shtegu u gjend në largimin nga ky vend, por ndërkohë fqinjët tanë, që i kishin ndihmuar në “zjarrvënie”, tashmë po kthenin mbrapsht në pikat kufitare me qindra mjeranë të rraskapitur, të lodhur e të mjeruar psikologjikisht, të dërmuar moralisht e fizikisht, madje edhe të dhunuar prej policëve grekë e serbë. Njoftimet e zëdhënësit të MPB për kthimin e shqiptarëve janë të përditshme, sidomos nga Greqia, ku numri është me qindra persona çdo ditë.
Në kushtet e situatës së agravuar të rendit, ku ligjin e bënin lumpeni i mbushur me vagabondë, rrugaçë, keqbërës e fukarenj të pikëlluar, drejtuesit e lartë të MPB, të gjendur me “litarin në fyt” kërkonin rrugëdalje, duke shpresuar në potencën e repartit 326, ndaj kërkonin informacion për gjendjen e pajisjeve speciale që do të nevojiteshin në ndërhyrjet e pritshme. Referuar shkresës nr.2, datë 25.01.1991, të komandës së repartit, me të cilën ajo informoi Drejtorinë e Policisë Popullore për gjendjen dhe gatishmërinë e armatimit e të pajisjeve speciale në përdorim të repartit special nr.326, ndërkohë pohohet zyrtarisht se gjatë katër viteve të fundit, periudha 1987-1991, Drejtoria e Policisë dhe Drejtoria Ekonomike kanë furnizuar repartin me armatimet e pajisjet speciale të mëposhtme:
1) Pushkë gjermane me dylbi-6 (gjashtë) copë, me 29000 fishekë;
2) Pushkë franceze me dylbi-2 (dy) copë, me 2963 fishekë;
3) Pushkë kineze me dylbi-3 (tre) copë, me 5000 fishekë;
4) Shotgan-3 (tre) copë;
5) Pistoleta vetëmbrojtjeje GC 27-4 (katër) copë;
6) Revole “Brauning”-3 (tre) copë, me 600 fishekë;
7) Revole “Smith”-1 (një) copë, me 360 fishekë;
8) Granata “Sturn”-80 (tetëdhjetë) copë;
9) Granata me gaz “CS”-2 (dy) copë;
10) Granata me gaz “CN”-60 (gjashtëdhjetë) copë;
11) Veshje antiplumb me kokore antiplumb-69 (gjashtëdhjetë e nëntë) copë;
12) Kanatjere antiplumb-2 (dy) copë;
13) Skafandra me mburoja plastike-250 (dyqind e pesëdhjetë) copë;
14) Thika pistoletë-100 (njëqind) copë;
15) Bllokues për rrugë-2 (dy) copë;
Mbasi konfirmohet siguria e plotë e veshjeve antiplumb, efikasiteti i përdorimit në stërvitje të granatave “sturn” e atyre me gaz “CS” e “CN”, komanda paraqet kërkesë për furnizimin me shkopinj gome, për përdorimin në përballjen me turmat (shkopi i gjatë 90 cm). Po kështu ajo informon se të dy bllokuesit me kunja (për ndalimin e automjeteve në rrugë) kanë dalë jashtë përdorimit, municionet me gaz “CS” nuk janë në cilësinë e duhur (nga 16 % gaz që duhet të kenë kanë vetëm 12% gaz të përqendruar), një kanatjere antiplumb e përdorin në drejtorinë e Policisë Popullore, silenciatori (heshtuesi) i pistoletës “Brauning” ndodhet në muzeun e Ministrisë së Punëve të Brendshme (Rendit Publik), ndërsa pistoletat me shkarkesë elektrike “TRM” nuk konsiderohen të përshtatshme mbasi janë thjesht për veprime individuale dhe propozohet të zëvendësohen me shkopinj elektrik (duket nga vështirësitë që ishin krijuar në përballjet e ashpra fizike, në afërsi, me demonstruesit e dhunshëm-H.L.).
Në vitin 1991 janë vështirësuar shumë shërbimet në mbajtjen dhe rivendosjen e rendit publik por janë shtuar edhe shërbimet për kapjen e personave të rrezikshëm. Janari shënoi kulmin e kurbës së qëndrimit në gatishmëri. Kudo kanë nisur lëvizjet greviste, sidomos ato të minatorëve që solidarizohen me njëri-tjetrin, ndër të cilët Valiasi mban peshën kryesore. Nga data 11 deri më 16 janar qeveria e Adil Çarçanit është gozhduar nga kërkesat e minatorëve dhe ministri i Energjetikës, Besnik Bekteshi, përballet gjithnjë e më ashpër në takimet me përfaqësuesit e tyre, duke toleruar gjithnjë e më shumë. Sambistët janë mbi makina sa në një rreth në një tjetër. Miratimi i një dekreti presidencial për ruajtjen e mbrojtjen e monumenteve e shtoi më shumë punën e sambistëve, sidomos në mbështetje të shërbimeve të policisë në Tiranë, mbasi aty kishte shumë objekte e monumente edhe të Enver Hoxhës. E gjendur nën trysninë e grevave e të lëvizjeve kundër saj dhe nën vëzhgimin e rreptë ndërkombëtar, qeveria e Ramiz Alisë bëri një lëshim politik të pa imagjinuar që nga viti 1945, kur pushteti popullor kishte ardhur në fuqi, duke u detyruar të ligjërojë “të drejtën e grevës”. Krahas këtij “lëshimi”, sikurse përmenda më lart, qeveria ndërkohë realizoi miratimin e dekretit që ktheu policinë “roje” të monumenteve, duke e kryqëzuar përballë shigjetave ku ishte përqendruar sulmi politik i grevistëve. Një artikull i Edi Ramës, pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, titulluar “Dje, sot, nesër”, krahas të tjerave ironizonte thellë dekretin “për mbrojtjen nga keqbërësit të përmendoreve, busteve e memorialëve”, duke tërhequr njëkohësisht edhe vëmendjen për fatkeqësinë që klasa politike, e cila ka në dorë ligjet dhe policinë, ende nuk është mësuar me demokracinë. Duke përmendur si fatkeqësi këtë që ndodh në Shqipëri, ku presidenti nxjerr dekrete për të mbrojtur Enver Hoxhën, ai e quan rastin “anarshi politike”. Këtij reagimi realist për situatën dramatike të rendit e të sigurisë publike iu kundërvu ashpër një korrespondent i gazetës “Zëri i Popullit”, i cili shkroi si kundërpërgjigje “Pse çuditet Edi Rama!? Kujt nuk i pëlqen një dekret!?”, duke analizuar me “partishmëri” të tre problemet e të djeshmes, të sotmes e të ardhmes.
Nuk ka vend ku nuk shkojnë sambistët me shërbim në këtë fillim viti. Edhe kur Azem Hajdari e Arben Imami, më 4 shkurt 1991, vendosen një kurorë në nderim të qytetarëve të terrorizuar më 4 shkurt 1944, nga Xhafer Deva me shokë, me mbishkrimin: “Martirëve të 4 shkurtit dhe gjithë dëshmorëve të rënë për liri”, për të garantuar mbarëvajtjen e rendit, edhe këtu, janë sambistët. Në vijim kjo gazetë botoi një peticion kundër sambistëve, për shërbimin e kryer në Povelçë, nënshkruar nga 118 fshatarë, të cilët protestojnë ndaj dhunës së sambistëve, ushtruar ndaj të rinjve të fshatit më 1 shkurt, ora 09:00, por duke vendosur në epiqendër nënkryetarin e Degës së Punëve të Brendshme, M.Q., i cili solli specialët dhe shoqëroi në polici të rinjtë G.Sopi, A.Taçi, B.Koliçi, N.Hysi dhe A.Dervishi. Këto shkrime duket se kanë synim “mpirjen” e veprimeve të policisë përballë zgjerimit të veprimeve të paligjshme në emër të lëvizjes demokratike në vend dhe të shembjes së komunizmit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
