Policia kanadeze ka raportuar për të shtëna me armë zjarri pranë konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Toronto, incidenti i dytë i këtij lloji brenda katër muajve e gjysmë. Autoritetet bënë të ditur se nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.

Sipas policisë, rreth orës 04:46 të mëngjesit me orën lokale, efektivët dëgjuan të shtëna në zonën pranë konsullatës. Një automjet i bardhë pa targa u pa duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Policia nisi ndjekjen e automjetit të dyshuar, por drejtuesi arriti të largohej. Zona përreth konsullatës u rrethua dhe në vendngjarje u gjetën gëzhoja armësh. Deri tani, motivi i sulmit mbetet i paqartë dhe hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve.

Ky është incidenti i dytë i regjistruar ndaj konsullatës amerikane në Toronto brenda një periudhe të shkurtër. Më 10 mars, objekti diplomatik ishte gjithashtu në shënjestër të personave të armatosur. Në lidhje me atë ngjarje, dy të rinj, 18 dhe 19 vjeç, u arrestuan në muajin qershor si të dyshuar.

Pas këtyre incidenteve, autoritetet kanë rritur masat e sigurisë pranë misioneve diplomatike amerikane dhe izraelite, në një kohë kur tensionet ndërkombëtare janë rritur për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: