Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve gjatë tubimeve në Tiranë.
Në një intervistë për News24, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të mbajë pushtetin me çdo kusht, ndërsa kërkoi që ky i fundit të dalë dhe të përballet drejtpërdrejt me qytetarët.
Salianji u ndal te rastet e dhunës së raportuar gjatë protestave, duke përmendur edhe të riun që u godit në sy me plumb gome.
Ai akuzoi kryeministrin se po e përshkallëzon situatën për interesa personale politike, ndërsa e cilësoi qeverisjen si përgjegjëse për vjedhjen dhe varfërimin e vendit gjatë 14 viteve të fundit.
Sipas Salianjit, pushteti ndodhet në një fazë të vështirë dhe reagimi i tij ndaj protestave po bëhet gjithnjë e më i ashpër.
“U bënë javë që për shkak të pushtetit të disa maskarenjve, po bëjnë gjueti njerëzore duke rrahur dhunuar. Një ri u godit në sy. Po bëjnë gjithçka për të mbajtur pushtetit. Rama po tenton t’i vërë flakën gjithë Shqipërisë për pushtetin e vet personal. Ky është turpi i Shqipërisë, zyrtarët e vet, ministrat e vet janë inekzistente. Këta e kanë vjedhur dhe varfëruar prej 14 vitesh dhe nuk mund të durojnë më këtë qytetarët. Ky pushtet është në grahmat e fundit dhe si çdo regjim në grahmat e fundi reagimi është ekstrem por fundi është i shpejtë. Rama a kërkon dialog, përse nuk del në shesh kur janë protestuesit aty të dalë të flasë qytetarët. Policia e shtetit nuk paguhet për të rrahur qytetarët dhe për të bërë gjueti njerëzore”, tha ai.
