TURQI- Policia turke nuk ka lejuar zhvillimin e një parade-gay ditën e sotme në Stamboll. Me ujë të nxehtë dhe fishekë gome, forcat e Policisë shpërndanë turmën e mbledhur në sheshin “Taksim”.
Para se turma të mblidhej, policia kishte njoftuar se parada e homoseksualëve nuk do të lejohet, por manifestuesit sfiduan duke dalë në sheshin “Taksim”, i cili në vitin 2013 u bë qendra e manifestimeve të dhunshme kundër qeverisë.
Shumë marshues mbanin në duar flamuj dhe simbole të tyre, të cilët edhe pse Policia u bëri thirrje që të shpërndaheshin nga sheshi, nuk pranuan por filluan të valëvisnin flamujt.
Pas shpërndarjes nga Policia, manifestuesit iu drejtuan tregut të vjetër Istiklal, duke marshuar edhe aty. Turma ka brohoritur dhjetëra parulla dhe mesazhe kundër qeverisë dhe presidentit Recep Taiyyp Erdogan. Kjo ishte e 13-ta paradë e këtij komuniteti në Turqi, por fakti që ka qëlluar në muajin e shenjtë të Ramazanit është cilësuar si provokim nga shumica e shoqërisë turke.
(m.k/BalkanWeb)