TIRANE– Arrestimi i Kelmend Balilit duket se është bërë objektivi kryesor i Policisë së Shtetit, duke intensifikuar përpjeket për kapjen e tij. Ditën e sotme, Policia e Shtetit ka njoftuar se ka vënë në dispozicion të kujtdo qytetari që ka informacion apo ndihmon për kapjen e shtetasit në kërkim Kelmend Balili, shumën prej 50 milion lekësh (të vjetra).

“Duke garantuar anonimatin, Policia ka vënë në dispozicion këtë numër telefoni 0694109188. Bashkë me qytetarët, ndërtojmë një vend më të qetë dhe një Shqipëri më të sigurt!”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia do të vlerësojë çdo informacion të ardhur qofte në telefon, e-mail apo edhe në rrjetet sociale. Burime pranë policisë thanë për “News 24” se operacionet blic për kapjen e Balilit do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm në jug të vendit siç ka ndodhur deri tani.

Deri më tani janë bërë tetë operacione për kapjen e Kelmend Balilit, por kanë dështuar për arsye të ndryshme.

Ditët e fundit janë intensifikuar operacionet për kapjen e Balilit, madje janë shoqëruar në polici edhe familjarë të tij, por pa mundur të marrin informacione të vlefshme për vendndodhjen e tij.

Autoritetet greke prej kohësh kanë nxjerrë një urdhër-arresti për Kelmend Balilin, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Lidhur me këtë çështje, iu dorëzua qeverisë shqiptare një dosje voluminoze.

Disa ditë më parë, përmes një letre, kreu i Kuvendit Ilir Meta, i kërkoi Presidentit Nishani arrestimin e Balilit. Kreu i Shtetit, sakaq, njoftoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë ditën e premte.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: