Policia ka zbardhur dinamikën e atentatit të ndodhur mesditën e djeshme në Fier, ku mbetën të plagosur nënë e bir pasi dy persona qëlluan me armë zjarri drejt motorit me të cilin po lëviznin dhe më pas i përplasën me makinë.

Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Mbikalimi i Dërmenasit”, ku 50-vjeçarja Suzana Mërrnica ishte duke udhëtuar me motor me të birin, teksa dy persona Afrim Cimili dhe Ali Cimili, babë e bir qëlluan me armë zjarri drejt tyre. Fillimisht policia njoftoi se 50-vjeçarja Suzana Mërrnica mbeti e plagosur pas të shtënave, por me kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore rezultoi se gruaja nuk ka marrë asnjë plumb, por u lëndua nga përplasja e automjetit të atentatoreve me motorin që po udhëtonte ajo dhe djali i saj. Nënë e bir u dërguan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Pas disa orësh në arrati, Policia e Fierit arrestoi 66-vjeçarin Afrim Cimili, ndërsa dyshohet se shkak për ngjarjen është bërë një konflikt i mëparshëm që djali i tij, Ali Cimili ka pasur me djalin e 50-vjeçares Suzana Mërrnica.

Pasi i përplasën me makinë, 23-vjeçari Ali Cimili dhe babai i tij u larguan me shpejtësi nga vendngjarja dhe disa orë pas nisjes së kërkimeve, Policia e Fierit arrestoi 66-vjeçarin Afrim Cimili, ndërsa djali i tij vijon të jetë në arrati.

Në vendngjarje grupi hetimor sekuestroi gëzhojat e plumbave, një nga automjetet e përdorura nga autorët dhe 3 celularë. Policia vijon kërkimet për kapjen dhe arrestimin e 23-vjeçarit Ali Cimili, ndërsa ai dhe babi i tij akuzohen për “Vrasje me paramendin”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Njoftimi: 

Në bashkëpunim me djalin e tij, qëlloi me armë zjarri, në drejtim të 2 shtetasve (nënë e bir), lokalizohet dhe arrestohet 66-vjeçari. Punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij.

Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Paraprakisht u dyshua se shtetasja S. M. ishte plagosur nga të shtënat me armë zjarri, por nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se 2 shtetasit (nënë e bir) u dëmtuan nga goditja e motomjetit me të cilin ata lëviznin, nga automjeti që drejtonte shtetasi i shpallur në kërkim.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 09.04.2025, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku shtetasit A. C., 66 vjeç dhe A. C., 23 vjeç, babë e bir, të dy banues në këtë fshat, dëmtuan shtetasit H. M., 26 vjeç dhe S. M., 50 vjeçe, nënë e bir, të dy banues në fshatin Sulaj, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe u kap dhe u vu në pranga 66-vjeçari.

Nga këto veprime dyshohet se shtetasit A. C. dhe A. C., për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet 23-vjeçarit dhe 26-vjeçarit, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjetit me të cilin lëviznin shtetasit H. M. dhe S. M.. Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Më pas, 23-vjeçari ka goditur me automjetin me të cilin lëvizte, motomjetin, dhe është larguar nga vendngjarja, së bashku me babanë e tij. Si pasojë e goditjes së motomjetit, janë dëmtuar shtetasit H. M. dhe S. M., të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhoja dhe prova që do t’i shërbejnë hetimit për këtë ngjarje. Gjithashtu, janë sekuestruar njëri prej automjeteve të përdorur prej autorëve dhe 3 celularë.

Vijojnë kërkimet për kapjen e 23-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtjeshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb