Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Shqipëri ka ngritur alarmin për ndikimin e politikës dhe krimit mbi lirinë e mediave dhe institucionet akademike në vend.

Organizata e shoqërisë civile “Qëndresa Qytetare” u shpreh se raporti konfirmon se udhëheqës në institucionet publike akademike janë zgjedhur ose emëruar bazuar në lidhje politike, duke cenuar lirinë akademike. Sipas Qëndresës Qytetare, posti i kreut të Akademisë së Shkencave ka pësuar ndikim të drejtpërdrejtë politik.

Raporti evidenton gjithashtu presionin mbi mediat e vendit. Organizatat mediatike raportuan se gazetarët hasën pengesa të konsiderueshme në raportimin e proceseve brenda institucioneve akademike, duke përdorur shpesh heshtjen si instrument vetëmbrojtjeje, fenomen që raporti e cilëson si kodin “Omerta”.

Sipas “Qëndresës Qytetare”, DASH thekson se gazetarët dhe pronarët e medias janë përfshirë në praktika të shantazhit dhe presionit politik, ku disa përfaqësues të lartë të medias përdornin platformën e tyre për të kërcënuar bizneset ose për të shpërndarë informacione të rreme mbi rivalët politikë. Sipas raportit, mungesa e fondeve, korrupsioni dhe presioni politik kanë kufizuar pavarësinë e medias së shkruar dhe kanë detyruar gazetarët të praktikojnë vetëcensurë.

Fenomeni i kërcënimit të reporterëve gjithashtu është evidentuar, ku disa gazetarë raportuan marrjen e komunikimeve kërcënuese pas raportimeve mbi korrupsionin ose sjelljet e supozuara të zyrtarëve të lartë. Raporti nënvizon se partitë politike dhe grupet kriminale kanë përdorur lidhje të drejtpërdrejta me pronarët dhe redaktorët e mediave për të ndikuar në mbulimin e ngjarjeve të caktuara.

Organizata “Qëndresa Qytetare” u shpreh se raporti i DASH është një konfirmim i shqetësimeve të tyre dhe një thirrje për përforcimin e lirisë mediatike dhe akademike në vend.

Reagimi:

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb