TIRANË- Krerët e vendit dhe politikës shqiptare kanë shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-presidentit izraelit Shimon Peres.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi homologut izraelit, Reuven Rivlin për ndarjen nga jeta të presidentit të 9-të të Izraelit, për periudhën 2007-2014, Shimon Peres.

Në telegramin e ngushëllimit, Presidenti Nishani shprehet i hidhëruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Peres duke u shprehur se humbja e tij është humbje për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

“I nderuar Zoti President, ndarja nga jeta e Presidentit të 9-të të Izraelit, Shimon Peres, më trishtoi shumë dhe përmes jush dëshiroj që t’i përcjell familjarëve e të dashurve të të ndjerit, si dhe popullit dhe qeverisë izraelite, ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta.
Presidenti Peres ia dedikoi politikës pjesën më të madhe të jetës së tij të gjatë, dhe ndarja nga jeta është një humbje jo vetëm për familjen e tij dhe popullin izraelit, por edhe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, të cilin e pasuroi me ide e zgjidhje racionale e konkrete. Bota humbi një lider vizionar. Ju siguroj se në këtë ditë trishtimi për familjen e të ndjerit dhe popullin izraelit, jam pranë tyre dhe lutem së bashku me ta që Presidenti Peres të prehet në paqe”. – mbyllet mesazhi i ngushëllimit i Kreut të Shtetit.

RAMA: TRISHTIM PËR KËDO QË DO PAQEN
Edhe kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Izraelit, Shimon Peres. Ai shkruan se humbja e Peres është trishtim për këdo që do paqen.
“Fati e desh që të bëheshim miq dhe kjo e bën edhe më të ndjeshëm për mua, trishtimin që ka sot, çdokush që do paqen apo përpiqet për paqen në këtë botë, prej të cilës u nda njeriu i madh i Izraelit mik, Çmimi Nobel për Paqen, burrështetasi i shquar, Shimon Peres”, shkruan Kryeministri Edi Rama në rrjetin social “Facebook”.

Ish-presidenti izraelit dhe çmim Nobel i Paqes, Shimon Peres, vdiq gjatë mbrëmjes së djeshme në moshën 93-vjeçare pas një aksidenti vaskular dhe cerebral, njoftoi mjeku i tij personal, Rafi Walden.

META: PERES NDRYSHOI DREJTIMIN E HISTORISË MBARË-BOTËRORE
Në një letër drejtuar Kryetarit të Knesset, Parlamentit të Izraelit Yuli Edelstein, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Izraelit, Shimon Peres.

“Më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta në emër të Kuvendit të Shqipërisë për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Izraelit, Shimon Peres dhe njëkohësisht mirënjohjen e thellë për përkushtimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të këtij njeriu të madh të paqes. Gjatë gjithë jetës së tij, Shimon Peres i shërbeu në mënyrë të palodhur Izraelit përmes alternativës së pajtimit në Lindjen e Mesme dhe jo konfliktit, duke besuar me optimizëm në një të ardhme të paqtë, dhe duke ndryshuar kështu drejtimin e historisë mbarë-botërore”, shprehet Meta në mesazhin e ngushëllimit.

Në mesazhin e tij, Meta shton se “ne sot i bashkohemi familjes Peres, popullit mik të Izraelit dhe miqve tanë hebrenj në tërë botën duke u përkulur me respekt të thellë përpara jetës dhe veprës së jashtëzakonshme të një njeriu të madh parimesh të drejta, i cili do të mbetet një prej personaliteteve më me peshë të historisë sonë moderne”.

“Vepra e Shimon Peres na frymëzon të gjithëve për të intensifikuar përpjekjet tona në shërbim të një bote më të paqtë e më të sigurt për brezat e ardhshëm. Ju siguroj Zoti Edelstein se gjithë populli shqiptar gjendet pranë Jush dhe miqve tanë hebrenj në këto ditë zie kombëtare”.

BERISHA: SHQIPTARËT KANË HUMBUR NJË MIK TË MADH
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar me një shënim për vdekjen e ish-presidentit të Izraelit, Shimon Peres. Berisha e cilëson Peresin si një mik të shqiptarëve.

“Vdiq ish presidenti i Izraelit nobelisti Shimon Peres! Sot Izraeli dhe kombi hebre janë në zi sepse kane humbur njërin prej personaliteteve të tyre më të shquar, më të respektuara në Izrael dhe në botë, burrin vizionar të shtetit, nobelistin Shimon Peres.
Shimon, në dekada shërbimi ndaj vendit dhe kombit të tij si ish-kryediplomat, ish-Kryeministër, ish-President, dha një kontribut historik në zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe kombit të tij!
Me vdekjen e tij, shqiptarët kanë humbur një mik të madh e të shquar, arkitektin e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve dhe kombeve tona.
Pas hapjes së Shqipërisë, Shimon Peres, si kryediplomat i Izraelit do vinte në Tiranë Ditën e Pavarësisë për të shprehur mirënjohjen e thellë të tij si dhe kombit dhe vendit të tij ndaj kombit shqiptar për mbështetjen e dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore për hebrenjtë si dhe për të nxitur dhe inkurajuar miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve dhe dy kombeve tona! Me këtë rast, shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe autoriteteve të Izraelit për këtë humbje të madhe dhe lutem që shpirti i ish-Presidentit Peres të prehet në paqe!”, shkruan Berisha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb