Avokati Redi Ramaj, i ftuar në Programin e Drekës në News 24 ka komentuar rezolutën e Parlamentit Europian, e cila bën thirrje për një drejtësi të pavarur në vendin tonë.
Ramaj shprehet se politika në vendin tonë është mësuar prej 35 vitesh që të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë dhe se diçka e tillë duhet të marrë fund. Ai shton se SPAK ka pasur rezultate dhe se Shqipëria ka nevojë për drejtësi të pavarur.
“SPAK ka pasur rezultate deri tani dhe pavarësia e drejtësisë nuk duhet që të cënohet. Nuk e përjashtoj mundësinë që të ndërhyhet në gjyqësor, por masat e sigurisë ndryshojnë sipas rrjedhës së gjyqit. Interesi është që të kemi drejtësi të pavarur. Nuk mund të veprojë vetëm SPAK, nëse nuk ka institucione të tjera të pavarura dhe të forta. Politikanë të nivelit të lartë, për shkak se janë cënuar vetë, kanë sulmuar Prokurorinë e Posaçme. Pushteti është më i rrezikshëm, sepse ka mekanizma në dorë për të vepruar mbi drejtësinë, ndërsa opozita mund të bëjë vetëm deklarata. Presioni ndërkombëtar e ka kufizuar politikën që të ndërhyjë tek sistemi i drejtësisë, por ka bërë që edhe vetë drejtësia të vetë-rregullohet. Edhe drejtësia ka probleme që duhen rregulluar, ka probleme me vonesat dhe cilësinë e vendimeve. Politika mos të ushtrojë presionin që ka ushtruar në 35 vite. SPAK ka marrë të pandehur njerëz, që deri dje ishin të paprekshëm. Mos vijojmë me metodën e vjetër në Shqipëri, që arrestojmë personin njëherë dhe më pas ia gjejmë provat, por do ishte mirë që dosja të jetë e kopsitur”, tha Ramaj.
Më tej, avokati Ramaj komentoi edhe aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në zona turistike, duke thënë se ndërhyrja në pikun e sezonit është problematike edhe për turizmin.
“Kryeministri dhe qeveria duhet të bënte bilanc e të thoshte se përse kemi arritur në këtë pikë. Nuk shkon që në mes të sezonit turistik, të shkojë IKMT dhe të thotë që do prishen bujtinat. Institucionet shtetërore i kanë lejuar që të ndërtohen ato bujtina apo ato restorante. Aksioni në pikën e sezonit turistik, është diçka jo e mirë. Jam dakord që të veprojë bashkia, IKMT, institucionet, njerëzit duhet të mos ndërtojnë në zona të caktuara, por mënyra sesi po e bën kryeministri, duket se kreu i qeverisë do që të ndërhyjë dhe në bashki të tjera. Kryeministri nuk mund të përfshihet në çështje që i takojnë bashkive, besoj se është shkelje e Kushtetutës, por duhet të dërgohet në GJK dhe tjetra është që dëmtohen disa familje, që donin të fitonin në sezonin turistik. Kryeministri e ka ditur realitetin. Duhet nxjerrë njëherë përgjegjësi. Edhe kryeministri ka faj për situatën”, deklaroi Ramaj.
