Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit.

Me anë të një reagimi në Facebook, Pacolli ka deklaruar se ish kreu i shtetit ka qenë një mik i tij shumë i afërt dhe i ka shprehur ngushëllime familjes të të ndjerit.

“Sapo mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mikut tim shumë të afërt, Ish-Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani.
Atë do ta kujtoj gjithmonë si njeri i urtë, i respektuar dhe me integritet të lartë. I bindur që do ti mungon për gjithmonë kombit. Shprehi ngushëllimet e mia familjes Nishani dhe çdo shqiptarit, kudo!”, ka shkruar Pacolli.

Ramush Haradinaj

Mbi ngjarjen e trishtë ka reaguar edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj është shprehur se ish kreu i shtetit Nishani do të kujtohet si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri.

Paska ndërruar jetë Presidenti Bujar Nishani. Bashkëndjejmë me familjen dhe të afërmit për këtë humbje të madhe. Do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri.  U prehtë në paqe”, ka shkruar Haradinaj.

Atifete Jahjaga

Mes reagimeve të ardhura nga Kosova për ndarjen nga jeta të ish kreut të shtetit shqiptar Bujar Nishani, ka qenë edhe ai i ish- presidentes së  Kosovës Atifete Jahjaga.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka vlerësuar se me të ndjerin ka pasur një bashkëpunim të ngushtë. Ajo ka vlerësuar se ish-presidenti ka qenë një figurë unifikuese edhe atëherë kur polarizimet politike dukeshin të pakalueshme.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim, ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Me Presidentin Nishani kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë gjatë mandateve tona presidenciale, si dhe një koordinim të shkëlqyeshëm ndërmjet të dy presidencave. I matur, pozitiv dhe shumë i përkushtuar në detyrë, Presidenti Nishani ka qenë një figurë unifikuese edhe atëherë kur polarizimet politike dukeshin të pakalueshme.

Odetës, Fionës, Ersit si dhe mbarë familjes Nishani e shtetit shqiptar, i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe! Bujari u prehtë në paqe!”, ka shkruar ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb