Politikani demokrat Lisandër Hoxha vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u mikprit nga kryetari i “Vatrës” Dr. Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, editori i Diellit, patriotët Bashkim Shehu, Faton Zogiani dhe Gezim Gosturani.

Në fjalën e mirëseardhjes kryetari Dr. Elmi Berisha ekspozoi historinë dhe punën dinjitoze të Federatës Vatra në shërbim të çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës, aktivitetet atdhetare e kulturore dhe vizionin e Vatrës në shërbim interesit kombëtar dhe komunitetit shqiptar në Amerikë e trojet etnike.

Politikani Lisandër Hoxha vlerësoi rolin e Vatrës në dobi të çështjeve më të të rëndësishme të interesit kombëtar dhe gjuhës e kulturës kombëtare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai njohu të pranishmit mbi situatën politike në vend si dhe kërkoi përpjekjet e komunitetit shqiptaro-amerikan në çështjet prioritare të vendit tonë, siç është lufta ndaj korrupsionit.

Tema të tjera diskutimi ishte roli i fuqishëm i mërgatës shqiptare në lobim të interesit kombëtar, zhvillimi i Shqipërisë demokratike me vokacion perëndimor, aspekte gjeopolitike të integrimit të Shqipërisë në BE dhe nevoja e rritjes së bashkëpunimit dhe unifikimit kombëtar.

Në fjalën e falenderimit politikani Lisandër Hoxha u shpreh se “Vatra” është e shenjtë për çdo shqiptar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb