Kombëtarja shqiptare e futbollit ka këtë të enjte një takim me historinë, pasi luan në Varshavë përballë Polonisë një ndeshje të vlefshme për play-off të Botërorit për herë të parë në historinë e saj. Një takim për të cilin kanë bërë parashikimin edhe ekspertët e statistikave të OPTA, të cilët kanë bërë 10 mijë simulime të ndeshjeve mes dy skuadrave duke marrë për bazë të dhënat statistikore.
Sipas saj, shanset e Shqipërisë për kualifikimin brenda 90 minutave janë padyshim më të vogla, duke marrë për bazë formën e Polonisë dhe eksperiencën e saj në këtë turne, në të cilin luftuan deri në fund të kualifikuesve më Holandën për një biletë direkte.
PARASHKIMI I PLOTË I OPTA
“Polonia mori 17 pikë në kualifikuese duke u renditur e dyta pas Holandës në Grupin G. Vetëm Italia fitoi më shumë pikë (18) se ata pa fituar grupin në kualifikueset europiane.
Nga ana tjetër, Shqipëria mori 14 pikë. Midis gjashtë vendeve të dyta në grupe që përbëheshin nga pesë ekipe, totali i tyre i pikëve ishte më i ulëti. Por ata gjithsesi ia dolën të linin pas rivalët e përbetuar, Serbinë, në luftën për vendin e dytë.
Shanset janë kundër Shqipërisë. Nëse fitojnë në Varshavë, ata do të kenë ende një udhëtim tjetër përpara tyre në finalen e Rrugës B. Një kualifikim për herë të parë në Kupën e Botës mund të jetë vetëm dy ndeshje larg, por prapë duket sikur Shqipëria ka shumë për të bërë.
Kjo është edhe ndjesia mbizotëruese pasi superkompjuteri i OPTA mbështet fuqishëm Poloninë, e cila fitoi 56,6% të 10000 simulimeve të ndeshjes brenda 90 minutave të enjten, krahasuar me 20,9% të Shqipërisë”.

