Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski ka vendosur të tërheqë më shumë se 50 ambasadorë në vende të ndryshme.

Procedurat janë nisur pas miratimit nga kryeministri Donald Tusk. Ndryshimet do të ndihmojnë në trajtimin e sfidave me të cilat përballet politika e jashtme e Polonisë “në një mënyrë më të mirë, më profesionale,” shkruante Ministria e Jashtme, duke shprehur shpresën se “autoritetet kryesore në vend do të punojnë së bashku për këtë çështje.”

Presidenti Andrzej Duda, megjithatë, ka thënë se nuk është e mundur të anulohet apo emërohet një ambasador pa miratimin presidencial.

Tusk dhe Duda kanë patur mosmarrëveshje të ashpra mbi çështje të brendshme të tilla si reformat gjyqësore, marrja nga qeveria e mediave publike dhe e ardhmja e projekteve të investimeve në shkallë të gjerë.

Një ditë më parë, Tusk njoftoi në televizionin kombëtar se ai dhe Sikorski do t’i kërkonin presidentit një “ndryshim masiv në ambasada.”

“Nëse nuk ka alternativë tjetër, ne do të zëvendësojmë ambasadorët në vend dhe derisa të ndryshojë qëndrimi i presidentit, ose derisa presidenti të ndryshojë, diplomatët që aktualisht veprojnë si të ngarkuar me punë do të shërbejnë si ambasadorë,” Tusk këmbënguli. “Sido që të jetë, ne duhet të përmirësojmë dhe ndërtojmë një ekip besnik ndaj shtetit polak.”

Ai pretendoi se masa nuk është “një hakmarrje” dhe se shumë ambasadorë “sigurisht meritonin të vazhdonin punën e tyre.”

Duda u përlesh me kryeministrin e sapozgjedhur pro-BE dhe qeverinë e tij më parë këtë vit kur presidenti u zotua të mos miratojë asnjë projektligj nga kabineti i ri i Tusk. Një pikë kryesore kundërshtimi ishte arrestimi i ish-ministrit të Brendshëm Mariusz Kaminski dhe zëvendësit të tij, pasi një çështje ligjore kundër tyre u rihap me urdhër të qeverisë së Tusk. Ai ishte gjykuar më parë për shpërdorim pushteti, por mori një falje në vitin 2015, të cilën kabineti i Tusk këmbënguli se nuk ishte brenda të drejtave të presidentit për të lëshuar.

Tusk u betua në fund të vitit të kaluar, pas dështimit të kryeministrit të mëparshëm, Mateusz Morawiecki, për të siguruar një votëbesim në parlament.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb