Pas Adam Buksa, tjetër mungesë në radhët e Polonisë për ndeshjen e 26 marsit me Shqipërinë, në kuadër të Play off të Botërorit.  Trajneri i polakëve, Jan Urban nuk do të ketë në dispozicion portierin Łukasz Skorupski.

“Gardiani” i Bolognas, Skorupski luajti 90 minuta ndaj Sassuolos, megjithëse pësoi një dëmtim të pafat në fund të ndeshjes.  Agjenti i tij, Daniel Kaniewski konfirmoi dëmtimin, në një intervistë për goal.pl.

“Play-off? Fatkeqësisht, nuk ka shanse. Lëndime të tilla zakonisht kërkojnë të paktën disa javë pushim. Ai është pak më mirë sot, por Łukasz ende po çalon”- tha agjenti.

Trajneri Jan Urban do të publikojë listën e të ftuarve të Polonisë më 20 mars. Sipas asaj që shkruajnë mediat, Skorupski do të zëvendësohet nga portieri i Wolfsburgut, Kamil Grabara, i cili luajti kundër Holandës në nëntor. Ndeshja Poloni-Shqipëri është të mbahet në stadiumin PGE në Varshavë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb