Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Uashingtoni po synon krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për të kundërshtuar ndikimin e Kinës.
Ai e akuzoi Pekinin se po shfrytëzon pandeminë e koronavirusit për të çuar më tej interesat e veta. Pompeo i bëri deklaratat më 21 korrik në Londër pas takimit me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe Sekretarin e Jashtëm Dominic Raab.
Tensionet midis Perëndimit dhe Kinës janë rritur për shkak të mungesën së transparencës nga ana e Pekinit në lidhje me shpërthimin e pandemisë, shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut, dhe akuzat e piraterisë në internet. Pompeo tha se çdo vend që “kupton vlerat e lirisë dhe demokracisë “duhet të njohë kërcënimin që paraqet Kina. “Shpresojmë se mund të krijojmë një koalicion që e kupton këtë”,- tha ai. Marrëdhëniet e SHBA-së me Kinën, janë të tensionuara për një sërë çështjesh, duke përfshirë tregtinë, të drejtat e pronësisë intelektuale, teknologjinë 5G dhe të drejtat e njeriut. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Kinën se e ka mashtruar botën në lidhje me pandeminë e koronavirusit.
