Sabah Nuzi dyshohet se është personi që ka porositur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e shtetasit Oltjon Klosi, ngjarje e ndodhur në datën 10 mars në rrugën “Vasil Ndoçka”.
Nuzi, i cili aktualisht ndodhet në burgun Fushë-Krujës, u akuzua nga SPAK se eliminoi në vitin 2020 shokun e tij, Klevis Lleshin, 24 vjeç, me kërkesë të Aurel Hoxhës. Për vrasjen ai ka përfituar 50 mijë euro.
Aurel Hoxha urdhëroi vrasjen e 32-vjeçarit për t’u hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2012, nga Arben Lleshi.
Dy fiset janë përfshirë në një sagë hakmarrjesh, të nisur në vitin 2012, kur Arben Lleshi vrau Agim Hoxhën, vëllain e Aurel Hoxhës, dhe më pas ia dogji trupin në makinë. Një vit më pas, më 30 tetor 2013, u vra Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit. Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i tij, Hajredin Lleshi.
Arben Lleshi po vuante dënimin me burg përjetë në burgun e Peqinit, kur në vitin 2023 u vra nga Sokol Mjacaj. Ai u qëllua me armë brenda në qeli, dhe dyshohet se vrasja ka qenë vazhdë e kësaj hakmarrjeje.
Njoftimi:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 10.03.2026, në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në automjetin në pronësi të një shtetasi.
Vihen në pranga 7 shtetas, të përfshirë në ngjarje, në formën e një grupi të strukturuar kriminal, shtetas me precendent të theksual kriminal.
Sekuestrohen biçikleta e përdorur në ngjarje, rrobat e autorit të përdorura gjatë saj, automjetet me të cilat kanë lëvizur të dyshuarit dhe aparatet celularë të tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku në automjetin në pronësi të shtetasit O. K. shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar operacionin policor “Porosia”, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në akse të ndryshme rrugore përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.
Në vijim të veprimeve proceduriale për këtë rast:
-u ndaluan shtetasit J. G., 32 vjeç, R. B., 25 vjeç, K. A., 24 vjeç dhe E. L., 27 vjeç, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim;
-u ndaluan shtetasit G. K., 29 vjeç, D. H., 34 vjeç dhe G. M., 19 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim;
-u bë ndalimi me iniciativë për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” ndaj shtetasit S. N., 33 vjeç, aktualisht në IEVP.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi J. G. është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive, i cili është ndihmuar nga shtetasit K. A., R. B. dhe E. L., duke i siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar si dhe sasinë e lëndës eksplozive të vendosur. Ndërkohë, Shtetasi S. N., aktualisht në IEVP Fushë-Krujë, i akuzuar për vepra të rënda kriminale, dyshohet se është personi që ka porositur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e shtetasit O. K.
Më tej, shtetasit G. K., 29 vjeç, D. H., 34 vjeç dhe G. M., 19 vjeç, kanë transportuar me automjet, më datë 10.03.2026 autorin e vendosjes së eksplozivit, shtetasin J. G.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
