NGA ERMELINDA HOXHAJ*TIRANE-Aplikimi i mësuesve që janë në kërkim të një vendi pune në portalin online “Mësues për Shqipërinë” ka arritur në 3285. Ndërkohë që çdo ditë shtohen regjistrimet në portal, mësuesit që janë në kërkim të një vendi punë ende nuk dinë se sa vende janë realisht vakante. Gjë kjo që pritet të shpallet ditën e hënë më datë 24 nëntor. Nga Ministria e Arsimit që në momentin që u hap portali u përcaktua se vendet vakante do bëhen publike pas datës 20 nëntor. Në krye të listës se mësuesve që kërkojnë punë është Drejtoria Arsimore e Tiranës, me 761 aplikime, më pas renditet DAR Elbasan me 550 regjistrime në portal, ndërsa në vendin e tretë renditet Korça me 327 aplikime. Ndërsa në fund të listës janë DAR Dibër dhe Kukës me nga 70 aplikime secila.

Aplikimi&vendet vakante
Numri i vendeve vakante mendohet të jetë rreth 4 mijë, pasi gati dy mijë vende mbesin vakante nga mësuesit që janë pa arsimin përkatës dhe dy mijë të tjerë janë mësues që janë jashtë profilit. Por kjo gjë sipas MAS pritet të zyrtarizohet fillimin e javës që vjen. Për sa u përket aplikimeve, mësuesit e rinj, punëkërkuesit në këtë profesion, ata që janë në listë pritjeje të drejtorive arsimore, apo mësuesit që janë konstatuar se japin mësim jashtë profilit kanë afat deri më datë 27 nëntor që të aplikojnë në portalin www.mësues.arsimi.gov.al. Gjatë regjistrimit aplikantët kanë mundësi që të zgjedhin 3 preferenca se ku dëshirojnë të punësohen, në ato raste që do të zgjedhin zonat e thella që ka mangësi mësuesish në disa profesione të caktuara, atëherë ata kandidatë do të mbështeten nga Ministria e Arsimit dhe Sportit me paketë financiare. Kjo gjë është deklaruar edhe nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla gjatë prezantimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”. “Ata mësues që do zgjedhin të punojnë në zona të vështira ku ka mungesë në profile të caktuara do kenë një portofol ekstra. Po ashtu, edhe kohëzgjatja e punës së tyre në ato zona nuk do jetë pa limit. Do përcaktohet dhe koha se sa do punojnë në ato zona dhe padyshim që në kthim do kenë një privilegj në punësim”, – ka deklaruar ministrja Nikolla. Në paketën financiare që këta mësues do kenë, sipas të dhënave të MAS parashikohet transport dhe banim falas si dhe kredi karriere. Në këtë portal mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që kanë mbaruar një cikël studimesh në mësuesi.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb