Artisti dhe violinisti Olen Cesari ka zbuluar detaje të reja për edicionin e pestë të “Porto Palermo Festival”, që pritet të zhvillohet gjatë javëve në vijim në kalanë e Porto Palermos, në Himarë. Si ideator dhe organizator i këtij eventi kulturor, Cesari theksoi se festivali këtë vit do të sjellë më shumë përveç muzikës: një ndërgjegjësim të veçantë për mjedisin.
“Do të kemi një aktivitet për pastrimin e plazhit, ku do të marrin pjesë mbi 100 persona. Do ndihmojmë për pastrimin e zonës dhe kjo është një pjesë e rëndësishme e misionit tonë si festival kulturor,” deklaroi Cesari.
Ai konfirmoi gjithashtu një listë të pasur me emra të njohur të skenës muzikore shqiptare dhe ndërkombëtare që do të performojnë gjatë netëve të festivalit. “Do të kemi ansamblin folklorik shqiptar, unë do të jem në natën hapëse. Kemi Ledina Çelon, Genc Tukiçin, Ana Maria Beqon. Të dielën do të ngjitet në skenë Dren Abazi. Kjo është vetëm java e parë,” tha ai.
Në listën e gjatë të artistëve përmenden gjithashtu Aurela Gaçe dhe artistë ndërkombëtarë, të cilët do të sjellin një atmosferë unike në një prej vendeve më të veçanta të bregdetit shqiptar.
Duke kujtuar fillesat e festivalit, Cesari tha: “Në vitin e parë e kemi financuar vetë festivalin, por me kalimin e viteve ai u bë më i rëndësishëm, u rrit dhe mori formën që ka sot.”
“Porto Palermo Festival” konsiderohet tashmë si një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të verës në Shqipëri, që bashkon artin, turizmin dhe ndërgjegjësimin mjedisor në një hapësirë historike dhe natyrore të rrallë.
